Zafir Berisha, i habitur se si KQZ e certifikoi për Parlament, kurse për Prizren jo

E publikuar: 13/09/2017 08:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zafir Berisha ankohet se vendimi i KQZ-së për ta decertifikuar nga gara për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet e 22 tetorit për shkak të rikyçjes ilegale në rrjetin e energjisë elektrike është i padrejtë.

Ai gjatë një interviste për gazetën “Zëri” thotë se pak muaj më parë ai ishte lejuar pikërisht nga KQZ-ja të marrë pjesë në garën për deputet në Parlamentin e Kosovës, ndërsa po i mohohet mundësia për të garuar në nivel lokal. Deputeti Berisha nuk e mohon mundësinë që një vendim i tillë i KQZ-së të ndërlidhet edhe me abstenimin e tij në Parlament për qeverinë “Haradinaj”, por thotë se në asnjë mënyrë nuk do ta përkrahë kandidatin e PDK-së për kryetar të Prizrenit. Madje, ai është i bindur se pas kësaj “loje” me decertifikimin e tij qëndron i pari i shtetit, Hashim Thaçi, transmeton zeri.info.

“Nuk është fjala për vjedhje, është fjala për rikyçje në sistemin e energjisë elektrike, në të cilin jemi kyçur që 13 vjet dhe të cilit deri më tani i kam paguar obligime mbi 300 mijë euro KEK-ut. Këtu është një lapsus i qëllimshëm apo i paqëllimshëm i Valdete Dakës, që në aludim e përmendin shprehjen vjedhje, edhe pse ajo gjyqtare e di mirë se vjedhja është krejt diçka tjetër dhe rikyçja në sistem është diçka tjetër. Megjithatë, mendoj se krejt kjo është një fushatë për eliminim politik që shefja e KQZ-së, Valdete Daka, në këto momente po dyshoj se është vegël e atyre skenarëve, të cilët i kanë përgatitur gjithë këto gjëra”.