Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka vlerësuar se vendimi i kryetarit maqedonas Gjorge Ivanov për të mos nënshkruar Ligjin për Gjuhët është shkelje flagrante e Kushtetutës por edhe qyqari, transmeton Koha.net.
“Më vjen keq që kryetari i shtetit ka vendosur tekstualisht që të mos e respektojë Kushtetutën dhe që të kumtojë për herë të dytë se nuk do ta nënshkruajë atë ligj. Kjo nuk është mirë, kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës së Maqedonisë dhe gjithsesi institucionet nuk kanë të drejtë të lejojnë që kjo të ndodhë”, citon n1 të ketë thënë Zaev për gazetarët sot në Shkup.
Ai ka theksuar se Ligji për Gjuhët nuk do të ndryshojë asgjë në Maqedoni dhe nuk do ta shkatërrojë të ardhmen e saj.
“Apeloj që të respektohen institucionet, e Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias të deklarohen për Ligjin”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se është qyqari që të mos lejohet zbatimi i Ligjit për Gjuhët me të cilin zgjerohet përdorimi i gjuhës shqipe në institucione pasi që në këtë mënyrë përfundimisht do të realizohej detyrimi i fundit juridik i Marrëveshjes së Ohrit
“Në këtë rast të gjithë do të vërenin se Maqedonia nuk do të jetë shtete i shqiptarëve apo i cilësdo bashkësi tjetër”, ka thënë Zaev.

















