Kreu i LSDM-së Zoran Zaev paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të publikojë materiale të ndjeshme që do të prekin marrëdhëniet ndëretnike.
Zaev nga Ohri, ju bëri thirrje bashkësive etnike që do të ndihen të prekur nga materialet që do t’i shpalos në vijim të përmbahen nga shfryrja e mllefit të tyre ndaj palës tjetër etnike.
Sipas Zaev për ato që do t’i dëgjojnë qytetarët nuk janë fajtorë qytetarët, por disa zyrtarë të Qeverisë. Zaev madje iu bëri thirrje qytetarëve që nëse duan të protestojnë, këtë bëjnë së bashku dhe jo ndaras.
“Të gjithë e dini se cilat tema presin të zbardhen bashkëqytetarët tanë. Ato do të zbardhen. Do të vijojnë materiale të ndjeshme si dëshmi dhe argumente. Prandaj ju bëj thirrje edhe maqedonasve edhe shqiptarëve, turqve, romëve, vllehve, boshnjakëve dhe të gjitha bashkësive etnike, kur do ta ndjeni atë që është e ndjeshme në materialet, do të ju kaplojë vrulli dhe mllefi, por mos u inatosni me bashkësitë e tjera etnike.
Mos i akuzoni anëtarët e VMRO DPMNE-së, pasi fajtorë janë individë nga kreu i qeverisë. Kur të mbërrijnë materialet e ndjeshme deri tek grupet, familjet, kur do të ndjeheni të fyer, kini kujdes, nuk janë fajtorë palët e kundërta.
Nëse dëshironi të protestoni na thirrni të protestojmë së bashku dhe jo ndaras maqedonas dhe ndaras shqiptarë”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së. Alsat-M/Infosot/