‘Z Mobile Streetball Kosova 2018’: Kompletohen superfinalistët, ‘Katërshja’ në tentimin e dytë siguron vizën

E publikuar: 19/08/2018 22:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Skuadra “Katërshja” me kapiten Pjetër Dodën, Amant Jahën, Palush Dodën dhe Dorant Hanën ka triumfuar sot në Prishtinë, në turneun e fundit kualifikues të Z Mobile Streetball Kosova 2018. Ishte ky tentimi i tyre i dytë për t’u kualifikuar në Superfinalen e sivjetme, pas dështimit në Ferizaj.

Në ndeshjen finale, Katërshja mposhti me rezultat të ngushtë 12:10 ekipin Bukuroshat, që në përbërje kishin dy reprezentuesit e Kosovës U18, Engjëll Sallovën dhe Meriton Ismajlin të ndihmuar nga dy basketbollist tjerë të rinj, Drin Krasniqin dhe Kreshnik Bërnicën.

Vëllezërit Pjetër dhe Palush Doda sot ishin me përbërje të re sepse Ngadhënjim Dragusha dhe Hyjnor Jasiqi që luajtën në Ferizaj sot u zëvendësuan nga Amant Jaha dhe Dorant Hana dhe si duket, ky ndryshim i ekipit, Katërshes i solli fat dhe i mundësoi të siguroi biletën e fundit për Superfinalen e cila zhvillohet të shtunën e ardhshme, më 25 Gusht, në Prishtinë.

Finalja e sotme ishte më e bukura sivjet ndërsa turneu i sotëm kualifikues në tërësi, ishte më i miri dhe përgatiti cilësinë më të lartë të lojrave të treguara në edicionin e sivjetmë të Z Mobile Streetball Kosova 2018.

Mirëpo, starti i Katërshes në turneun e sotëm nuk premtonte një përfundim të këtill të lumtur sepse në ndeshjen e parë në kuadër të Grupit C, kjo skuadër pësoi disfatë të ngushtë me rezultat 12:11, nga një skuadër tjetër veterane dhe e mirënjohur e streetballit kosovar, Mr.Pantina për të cilën tradicionalisht luajnë Valon e Valmir Behrami dhe Besar Ahmeti. Kjo treshe to pati ndihmën edhe të Arianit Bejtullahut.

Megjithatë, përvoja e Pjetër Dodës dhe Amant Jahës shtatlartë erdhi në shprehja dhe ata në vazhdim të turneut mblodhën forcën dhe fituan të gjitha ndeshjet por, asnjëra nga fitoret nuk ishte e lehtë.

Në veçanti duhet theksuar gjysmëfinalen kundër Shefave. Në këtë duel eliminues, 4 minuta pa përfunduar dueli, Katërshja ishte në disavatazh prej 6 pikëve. Më saktësisht, Shefat e përbërë nga Rinor Peci, Dren Morina, Ardi Metaj dhe Gent Shala, me dyshen e Rinorit kaluan në avantazh prej 7-6, njëherësh duke filluar serinë e suksesshme prej 7-0, për ta ngritur epërsinë e tyre në 12-6.

Ndërsa kishin mbetur edhe 3 minuta e 42 sekonda lojë, Shefat kishin epërsi të thellë dhe Katërshja dukej e lodhur dhe jofunksionale, në skenë dolën vëllezërit Doda, Pjetri dhe Palushi të cilët me 4 dyshe rresht fillimisht barazuan rezultatin e pastaj edhe kaluan në avantazh prej 12-14. Ishin këto çaset kur djelmoshat e rinj të Shefave kaluan në defanzivë të plotë dhe nuk kishin përgjigje për Katërshen e cila në minutën e fundit hyri me plus 2 pikë. Deri në fund, të dyja skuadra shënuan nga dy njëpikësha për ta vendosur rezultatin final Shefat 14 – Katërshja 16.

Kur jemi te Grupi C, duhet theksuar se sot ky ishte “grup i vdekjes”. Përveç Katërshes dhe Mr.Pantinës, shorti e deshi që në këtë shoqëri kualitative të hy edhe skuadra tjetër kualitative King’s me Arbër Elshanin dhe Gent Shabanin shtatëlartë, si dhe djelmoshat e rinj dhe tejet të talentuar , Simpatikat e udhëhequr nga Diart Gashi 16 vjeçar.

Ky ishte grupi i vetëm i cili sot kishte katër ekipe ndërsa grupet A dhe B numëronin nga tri. Andaj, nga grupi C në gjysmëfinale u kualifikuan 2 skuadra kurse nga A dhe B, më tutje kaluan vetëm të parët e grupeve.

Si tham, Mr.Pantina në ndeshjen e parë triumfoi ngushtë ndaj Katërshes duke vazhduar më vonë me seri të fitoreve edhe ndaj Simpatikëve dhe në xhiron e fundit të grupit C, ndaj King’s-ave. Si tham, në këtë grup nuk pati asnjë duel të lehtë .

Edhe ndeshja e fundit e këtij grupi e cila ka mundur ta dërgonte në shtëpi Mr.Pantinën sikur të pësonte disfatë nga Kings , ishte tejet dramatike dhe e pa parashikueshme. Gjatë tërë ndeshjes, skuadrat ndërrhoeshin në avantazh dhe në një moment, 3 minuta pa përfunduar dueli, King’s kishin avantazh prej 14-12. Në ato çaste në skenë doli Besar Ahmeti i cili qëlloi , besoni apo 5 dyshe rresht për t’ia siguruar fitoren me rezultat 22-18 dhe dërguar Mr.Pantinën në gjysmëfinale .

Në dy grupet tjera, A dhe B, Shefat dhe Bukuroshat ishin të pakontestueshëm dhe duke realizuar nga dy fitore u kualifikuan pa problem në gjysmëfinale.

Si tham, në gjysmëfinalen e parë Katërshja përkundër disavantahzit të thellë arriti ta rikthej rezultatin dhe të triumfoi ndaj Shefave kurse Mr.Pantina e cila shihej si favorite në duelin e dytë gjysmëfinal ndaj Bukuroshave të rinj, për shkak të përvojës së tyre 15 vjeçare në streetballin kosovar, megjithatë nuk arriti ta mposht rininë e “Bukur” e cila me shënim në sulmin e fundit , kur kishin mbetur edhe 3,9 sekonda arriti t’i mbijetoj problemeve të jashtëzakonshme me gabime ekipore (faula) pasi që shumë herët hyri në bonus prej 2 gjuajtjeve të lira (faulat 7,8,9) dhe për më tepër shkaktuan edhe faullin e 10të që i mundësoi Mr.Pantinës 2 gjuajtje të lira dhe topin në pronësi. Fatkeqsisht për veteranët dhe fatmirësisht për Bukuroshat e rinj, Nga 8 gjuajtje të lira, Mr Pantina realizoi vetëm 1 pikë kurse gjatë pronësisë së topit, ndërsa kishin mbetur edhe 7,9 sekonda Arianit Bejtullahu bëri gabim në hapa dhe topi i kaloi Bukuroshave të cilët e shfrytëzuan sulmin e fundit për të kaluar në finale.

Në finale, përkundër lodhjes si rezultat i dueleve tejet të forta gjysmëfinale, të dyja skuadrat ishin goxha luftarake dhe të vëmendshme. U luajtën mbrojtje të forta dhe pati shumë pak pikë për një finale. Në fund, Katërshja e cila 2 minuta pa përfunduar dueli final kishte disavantazh prej 2 pikëve, shënoi dyshe dhe pastaj shfrytëzoi përvojën për të shtuar presionin në mbrojtje dhe fituar me rezultat maksimalisht minimal, 12:11.

Kështu Katërshja Pjetër e Palush Doda, Amant Jaha dhe Dorant Hana, në tentimin e dytë të kësaj skuadre e siguroi vizën e fundit superfinale.

Me përmbylljen e turneut të sotëm kualifikues të Z Mobile Streetball Kosova 2018, ciklit prej 8 ngjarjeve i ka mbetur edhe Superfinalja e cila do të zhvillohet të shtunën e ardhshme me fillim nga ora 15, po ashtu në Sheshin Zahir Pajaziti.

7 ekipeve më të suksesshme të këtij edicioni do t’ju bashkohet edhe nënkampionia e vitit të kaluar, skuadra Shmekat dhe këto 8 ekipe do të luftojnë për epitetin e kampionit të sivjetmë që do të fitoj 800 copa të buta dhe kualifikimin direkt në Superfinalen 2019.

Natyrisht, e tërë kjo ngjarje Superfinale, të shtunën e ardhshme do të zhvillohet në një super ambient me fushën dhe koshin special, infrastrukturën e përgatitur enkas për këtë ngjarje, në prezencë të shumë udhëheqësve të institucioneve, sponsorëve dhe shikuesve të cilët përveç garave të Z Mobile Streetball Kosova 2018 do të kenë mundësi të shikojnë edhe ndeshjen revyale të vajzave si dhe garën për ngulitjen më të bukur të quajtur Sprite Slam Dunk ku do të marrin pjesë me ftesa ngulitësit më atraktiv për të cilët kemi ppërgatitur edhe dhurata të posaçme.

Me fjalë tjera, të shtunën e ardhshme me 25 Gusht, me Superfinalen në Prishtinë, Streetball Kosova e përmbyll rrugëtimin prej 1000 kilometrave nëëpër tërë Kosovën, me ç’rast ka vizituar 7 qendrat më të mëdha dhe për vitin e 19-të rresht ka shpërndarë “Muzikë, Diell dhe Kënaqësi streetballi” sivjet të quajtur Z Mobile Streetball Kosova 2018.

Krejt në fund, thuhet theksuar se pas një pushimi dy vjeçar, karvani i Streetball Kosovës sërish i është kthyer rrugëtimit të vet 1000 kilometërsh nëpër tërë Kosovën, duke vizituar 7 qytete dhe në fund mbajtur Superfinalen. Kjo është mundësuar në radh të parë duke i falënderuar sponsorit gjeneral , telefonisë mobile Z Mobile.

Po ashtu, përkrahjes së fuqishme të Presidentit të Kosovës dhe mbështetjes së pakursyer të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës, Komunës së Prishtinës , RTV 21.

Ndihmë të madhe dhe të rëndësishme në realizimin e edicion it të sivjetmë kanë dhënë edhe kompania e pajisjeve dhe veshmbathjeve sportive, Sporting dhe agjencia e marketingut dhe shtypit, VM3 dhe D-Line, sikurse edhe Sprite, BKT, uji Dum Dum Uater dhe De Tox Uater. Krejt në fund dhe me rëndësi të madhe ishte edhe ndihma e 3CIS, Besa Security, Zëri, Korneri.net dhe Papilloni.

Rezultatet zyrtare të Prishtinës