Opozita kosovare ka filluar mobilizimin e të rinjve për protestën e 9 janarit. Visar Ymeri i Vetëvendosjes tha se viti i ri fillon më 9 janar, atëherë kur do ta jetësojnë Republikën dhe do të dorëhiqen ata që shkelen Kushtetutën.
“Vendimi i parë: Kemi vendosur që të ndërhyjmë në kalendar. Ky vit i ri nuk fillon më 1 janar, por do të fillojë më 9 janar. Vendimi i dytë: Ky vit i ri nuk ka babadimra, babadimrat jemi ne që do ta jetësojmë Republikën më 9 janar, për dorëheqje të atyre që shkelën Kushtetutën”, tha Ymeri.
Ndërsa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka cilësuar 9 janarin si një ditë shumë të rëndësishme.
“9 janari është dita kur i tregojmë Qeverisë që jo vetëm ka gabuar, por edhe duhet të jap llogari. Të mblidhemi më 9 janar që të tregojmë se shkelësit e Kushtetutës duhet të japin llogari dhe të tregojmë se ato marrëveshje nuk kalojnë”, tha Haradinaj.
Liderët e tri partive opozitare kanë ftuar të gjithë qytetarët që më 9 janar t’i bashkohen protestës gjithë popullore.