Ymeri: Republika është e uzurpuar, Kosovën duhet ta kthejmë në funksion të interesave të qytetarëve

E publikuar: 03/01/2016 22:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qëndrueshmëria e opozitës në kundërshtimin e ‘’Zajdenicës’’, ka bërë që secili qytetar ta kuptojë që kjo krijesë e cenon bazën e shtetit të Kosovës, ka deklaruar lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Visar Ymeri, në një intervistë për Telegrafin.

Intervistoi: Blendi Devolli

Ai në këtë intervistë ka folur për gjendjen e rëndë ekonomike që ka mbizotëruar në Kosovë gjatë vitit 2015, frytet e protestave të opozitës kosovare, pritshmëritë që qytetarët e Kosovës të angazhohen më tepër politikisht gjatë këtij viti, në kundërshtimin e marrëveshjeve të cilat ai i konsideron si të dëmshme për Kosovën. Sipas tij, përballë Kosovës gjenden dy rrugë: ajo e bosnizimit të vendit ose kthimit të vendit në binar të një shteti normal.

Ymeri ka theksuar se gjatë vitit 2015 ka pasur një përshpejtim të degradimit të Republikës së Kosovës përmes vendimeve qeveritare. Ai vlerëson gjithashtu se kemi pasur edhe një degradim ekonomik dhe eksod të jashtëzakonshëm të qytetarëve të Republikës të cilët shpëtimin e kërkonin jashtë republikës.

“Kemi pasur një qeveri që nuk ka marrë kurrfarë masa për ta sanuar këtë gjendje ekonomike, por vetëm se e ka thelluar hendekun në mes të pasurve dhe të varfërve, kryesisht me ndryshimet fiskale të cilat i bëri me pompozitet të madh e që rezultuan në fund të jenë më të dëmshme për qytetarin e zakonshëm sesa që pati dobi prej tyre”, ka thënë Ymeri për Telegrafin.

Ai më tutje ka theksuar se me rritjen e TVSH-së për konsumin në përgjithësi, u shtrenjtua jeta e qytetarit, ndërkohë që shton se nuk ka pasur zhvillim në rrafshin ekonomik: rritje të prodhimit, përmirësim të bilancit tregtar, hapje të vendeve të reja të punës.

“E kemi pasur një Qeveri e cila ka qenë kryekëput e angazhuar në një dialog me Serbinë, dialog i cili prodhoi marrëveshjet e dëmshme të cilat u materializuan me 25 gushtin e këtij viti – marrëveshja për ta themeluar Zajednicën”.

Sipas liderit të VV-së, Kosova e ka një qeveri e cila e ka shkelur më të dy këmbët dhe me vetëdije të plotë Kushtetutën e Kosovës, “në mënyrë që të akomodojë kërkesat e Serbisë në Kosovë, e të cilat qartazi u dëshmuan se kërkojnë rrënim të plotë të rendit kushtetues të vendit”.

“Viti 2015 ka filluar me protesta për shkarkimin e Jabllanoviqit dhe për shndërrimin e Trepçës në ndërmarrje publike. Njëra nga kërkesat është realizuar – shkarkimi i ministrit që i kishte ofenduar shqiptarët e Kosovës me gjuhë fashiste. Ndërkohë për tjetrën Qeveria përfundoi me gënjeshtra dhe sot e kësaj dite e kemi Trepçën e cila mbetet e kërcënuar nga kthetrat e AKP-së dhe likuidimi që parashihet me ligj”, ka thënë ai.

Ymeri ka thënë se prej nënshkrimit të marrëveshjeve në Bruksel, me 25 gusht të këtij viti, ata si opozitë e bashkuar kanë ndërmarrë disa metoda të kundërshtimit të Asociacionit të Komunave Serbe dhe Demarkacionit me Malin e Zi. Ai ka theksuar se pjesë e këtij kundërshtimi ka qenë peticioni i organizuar nga opozita e bashkuar (të cilin peticion e kanë nënshkruar mbi 205 mijë qytetarë).

“Është ndërtuar një konsensus gjithëpopullor kundër këtyre marrëveshjeve, gjë që është e mirë dhe indikative për vitin 2015, se qytetarët e Kosovës po vetëdijesohen çdo ditë e më shumë për degradimin e Republikës që po vjen nga vendimet dhe marrëveshjet e Qeverisë”.

Ai ka thënë se protestat e opozitës i kanë sjellë frytet e tyre në atë që sot, sipas tij, nuk mund ta gjesh një qytetar që është dakord me Zajednicën, duke shtuar se “po këto protesta e kanë detyruar një pjesë të institucioneve të reflektojnë karshi këtyre marrëveshjeve, gjë që ka rezultuar me dërgimin e Zajednicës në Gjykatën Kushtetuese dhe pastaj aktvendimin final të Kushtetueses për marrëveshjen e 25 gushtit dhe atë të vitit 2013”.

“Kjo e 25 gushtit hidhet poshtë tërësisht nga Kushtetuesja, ndërkohë problematike paraqiten pikat themelore të marrëveshjes së vitit 2013”, ka thënë Ymeri. “Shumë mirë që këtë e ka qartësuar edhe Kushtetuesja. Kur e patën dërguar në vitin 2013 në Kushtetuese, vlerësimin se a ka shkelje të aktit më të lartë juridik në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë aso kohe, as që pati dashur të dëgjojë për këtë çështje”.

Sipas tij, qytetari i Republikës e ka ditur rrezikun e Zajednicës, prandaj e ka nënshkruar peticionin për mos themelimin e saj, duke shtuar se “qytetarët e kanë të qartë dhe e dinë se çfarë bën për Kosovën”.

“Por, fatkeqësisht i kemi dy krerë institucionalë që nuk po i dëgjojnë këta qytetar. Isa Msuitafa dhe Hashim Thaçi i kanë uzurpuar postet e tyre publike, të cilat tash po insistojnë t’i mbajnë të uzurpuara përkundër konstatimit se këta dy kanë qenë shkelës të Kushtetutës së Kosovës sepse ata i kanë nënshkruar marrëveshje në Bruksel”, ka theksuar ai.

Aktvendimi i Kushtetueses për të është arsye shtesë për të protestuar partitë opozitare që janë të gatshme që të hyjë në një listë zgjedhore

I pari i VV-së ka thënë se protestat që janë bërë deri më tash, qysh prej 28 nëntorit, veçanërisht nëpër komunat e Kosovës, kanë pasur për qëllim “që të ngritët mobilizimi qytetar, në mënyrë që kundërshtimi ndaj tyre të merr dimensionin popullor”. Sipas tij, protestat e 9 janarit do të jetë e para për vitin e ardhshëm, por jo edhe e vetmja.

Ymeri ka thënë se ata si VV janë të interesuar ta kenë një front shoqëror (listë zgjedhore) që, përveç partive politike, përbëhet edhe nga shoqëria civile dhe personalitete të shquara.

“Ekziston mundësia e arritjes së marrëveshjes, pa çka se nuk ka asgjë konkrete. Renditja dhe pozicionet brenda listës zgjedhore do të vendoseshin sipas madhësisë së subjektit politik dhe konsistencës politike”, ka thënë Ymeri.

Duke komentuar deklaratën e sekretarit amerikan John Kerry i cili ka thënë se SHBA-të nuk pranojmë marrëveshje me të cilat cenohet integritetit territorial i Kosovës, Ymeri ka thënë se kemi të bëjmë me keqkuptim të miqësisë.

“Ajo çfarë kemi nevojë ne nuk është t’i ndryshojmë aleatët, jo që ta ndryshojmë sasinë e aleatëve, por ta ndryshojmë cilësinë që e kemi në këto marrëdhënie me këto vende mike”, ka theksuar Ymeri, i cili shton se Albin Kurti është njëri nga aktivistët më eminent në VV.

“Ai ka qenë kryetari i VV-së për një mandat. Aktualisht Kurti është deputet i VV-së, i angazhuar shumë në punën në terren – në procesin e ristrukturimit të Lëvizjes. Figura e Albinit, për shkak punës dhe sakrificës, është njëra prej figurave më të vlerësuara të LVV-së”, ka thënë ai. “Albini nuk është udhëheqës shpirtëror, sepse ne nuk kemi të bëjmë me një sekt fetar. Ne jemi organizatë politike, në të cilën secili aktivist e ka rëndësinë e vet, e aktivistët e VV-së janë të barabartë me njëri tjetrin”.

I pari i VV-së ka theksuar se arrestimet e deputetëve të opozitës nuk e kanë frikësuar askënd, për më tepër, sipas tij, i kanë irrituar qytetarët e Kosovës.

“Ne asnjëherë nuk e kemi luajtur rolin e viktimës. Ne nuk i kemi thënë Policisë ejani dhe përdorni dhunë ndaj nesh. Pushteti ka synuar që ta frikësojë opozitën, por këtë nuk ia ka arritur dhe nuk do t’ia arrijë ta bëjë”, ka thënë Ymeri.

Ai ka folur edhe për paratë që po i kërkon VV-ja për t’i mbështetur aktivitetet e saj dhe te opozitës, duke theksuar se vazhdimisht “kemi bërë këso lloj fushatash që edhe qytetarët t’i bëjmë pjesë të projekteve”.

“Është e domosdoshme që qytetarët e republikës të jenë të angazhuar që të bëhen pjesë e këtij kundërshtimi që po e bën opozita e bashkuar. Në vitin 2016 jemi përpara dy alternativave, ose ta pranojnë rrugën që e ka zgjedhur Qeveria, e që do të thotë të shkojmë rrugës së Bosnjës – bosnjëzim i Kosovës – ose do ta zhvendosim Republikën nga kthetrat e kësaj Qeverie e ta vendosim në binar të një shteti me projekt sovran, projekt zhvillimi, rritje të barazisë dhe mirëqenies për qytetarët”.

E, për këtë, sipas Ymerit vendimtare është angazhimi i qytetarëve për ta ndërruar këtë kurs.

“Nëse nuk ndodh kjo do të kemi bosnizim të Kosovës, themelim të Zajednicës, rritjen e korrupsionit, degradim të vazhdueshëm ekonomik përmes privatizimi ose uzurpimit të çdo gjëje që ka mbetur publike. Aktualisht republika është e uzurpuar nga qeveritarët dhe përdoret për interesat e tyre. Duhet ta kthejmë Kosovën në funksion të interesave të qytetarëve, as të Serbisë dhe as të qeveritarëve të korruptuar”, ka përfunduar Ymeri. /Telegrafi/