Ymeri: Nuk do të lejojmë që pasuritë e Kosovës të kontrollohen nga Serbia

E publikuar: 18/03/2016 15:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i Vetëvendosjes Visar Ymeri, në protestën e sotme të opozitës në Vushtrri kundër formimit të komunës së Prilluzhës, ka thënë se kjo protestë është vazhdimësi e të tjerave që te tregojmë se qytetarët as nuk duan e as nuk do të lejojnë që pasuritë e tyre të kontrollohen nga Serbia, raporton KTV.

“Do të vazhdojmë të protestojmë për sa kohë që ky pushtet e ka uzurpuar atë post të rëndësishëm të Kosovës për të vendosur në interes të Serbisë. Isa e Hashimi iknin në tavan e në tavane rrinë minjtë dhe ju e dini çka bëjnë minjtë në shtëpi .

Dëmtojnë e hanë ç’ka t’u del përpara dhe fillojnë e hapin vrima e kur shtëpitë bëhen me vrima aty hyn uji. Tash uji ka filluar me i hi Kosovës” ka thënë Ymeri duke shtuar se në resursin e fundit e më të rëndësishëm që ka po do ta bëj hisedarë Serbinë me qëllim që në njërën anë të luftojnë republikën e më pas edhe ekonominë e shtetit.
Serbia pra mund ta luftoj bërjen e Kosovës shtet politikisht dhe ekonomikisht..duke kontrolluar thëngjillin përmes Prilluzhës komunë

Kjo është fatura që Kosova po e paguan për zgjedhjen e Hasjim Thaçit president, ka përfunduar ai.

Ndërkaq Bajram Ajeti, anëtar i kryesisë së Nismës tha se republikën e bëmë me përpjekje shekullore e pas 16 vjetësh çlirimi po e udhëheq qeveria më e madhe në numër në rajon por më antishiptare e antikombëtare.” Kjo qeveri e sakatosi Kosovën duke mos e ndërtuar por duke e cenuar. Marrëveshja me Zajednicën është thikë pas shpine për të sjellë Serbinë në Kosovë që të ja bëj asaj të mundur që të arrij qëllimet e veta. Qeveritarët që po bëjnë hisetare Serbinë në Kosovë nuk e meritojnë të udhëheqin.

Në protestë fjalime kanë mbajtur edhe përfaqësues lokalë të partive opozitare.

Besim Muzaqi koordinator i VV- së theksoi se nuk janë kundër popullit serb por krijimi i komunës nënkupton një luftë të re të Serbisë vetëm në një mënyrë tjetër.

Ndërsa Lutfi Bilalli nga AAK -ja theksoi se rezistenca popullore për të kundërshtuar këtë lojë që luan Beogradi me emisarët e tyre duhet ndaluar.

Njëjtë është shprehur edhe Avdullah Vojvoda nga Nisma i cili deklaroi se qytetarët nuk e kanë menduar kurrë se 16 vjet pas luftës qeveritarët do të shkelin mbi gjaku e derdhur e të krijojnë marrëveshje të dëmshme e aq më pak komunën e Prilluzhësë.

Ndërsa përfaqësuesi i komunës së Obiliqit Burim Gërguri idenë për themelimin e komunës e ka quajtur regres të të arriturave të deritanishme.