Ymeri kërkon largimin e Qeverisë dhe krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve

E publikuar: 25/01/2016 11:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Visar Ymeri, kryetari Vetëvendosje kërkoi largimin e Qeverisë dhe krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Kështu tha ai në tryezën e shoqërisë civile “Kujtesa, viti 2015, zhvillim evolutik i pashembullt në Kosovën e pasluftës, dinamikë ndryshe”.

Lideri i Vetëvendosjes, raporton Koha Ditore, tha se fillimi i vitit të shkuar ishte i mbushur me pamjet e qytetarëve të cilët largoheshin masovisht nga Kosova, sepse nuk shihnin perspektivë. Ky eksod cilësisht ka qenë më i keq se sa largimi i shqiptarëve gjatë viteve 90, sepse shkonin me shpresën për t’u kthyer, kurse në vitin 2015 shkuan për të mos u kthyer për shkak te dëshpërimit.

Sipas Ymerit, viti 2016 filloi ndryshe, me protestat më masive që nga paslufta. Prej qytetarit të dëshpëruar tani kemi një qytetar tjetër qe insiston që Kosova të rregullohet. Qytetari sot kërkon qe Kosova të jetë më e mirë. Prej vitit 2011 Kosova në proces dialogu dhe ky proces rezultoi me një marrëveshje për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe.

“Nga Gjykata Kushtetuese konstatua se kjo krijesë do ta përmbyste rendin kushtetues që ka Kosova. Ky ishte moment i rëndësishëm demokracie Këta që shkelën Kushtetutën nuk mund të vazhdojnë pa dhënë asnjë llogari, kinse nuk ka ndodhur asgjë. Koalicioni aktual krejt tjetër gjë ka premtuar në fushatë, e krejt ndryshe ka vepruar kur ka ardhur në pushtet, ka shpërputhje dhe kundërshtime në fjalët e tyre, tash kur udhëheqin institucionet. Premtimi për vend punë nuk u realizuan, por me ardhjen në pushtet prioritetet ishte të vazhdohet dialogu me Serbinë. Kjo qeverie intensifikoi kapjen e shtetit duke emëruar militantët partiake në borde e agjencive të pavarura. Qeveria sot është qeveria e cila ka kredibiletetin më të ulët që nga paslufta. Me gjithë këto konstatime dhe këtë shpërfillje të qytetareve, kjo qeveri do duhej larguar. Por kjo nuk po ndodh dhe është obligim i shoqërisë ta detyrojë te largohet për t’i hapur rrugë zgjedhjeve. Te kemi një ndryshim të madh dhe zgjedhjet të mbahen me se largu në pjesën e pare të vitit 2016”, përfundoi Ymeri.