Ymeri fton mërgatën të votojë: Pushteti e ka frikë votën tënde të lirë

E publikuar: 25/07/2017 12:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Vota e mërgatës është votë të cilën pushteti i deritashëm nuk e do, sepse është e lirë – as nuk mund të kushtëzohet, as të vidhet. Kjo pasi që ata gjykimin politik e kanë të pavarur dhe jo të lidhur me interesa të caktuara”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në një konferencë për media ka ftuar bashkatdhetarët që të votojnë në zgjedhjet lokale të tetorit, duke theksuar se vota e tyre është votë që frikëson pushtetin.

Ai ka deklaruar se pasi që kjo votë është e lirë dhe nuk mund të kushtëzohet as të vidhet, nga qeveritë e kaluara është tentuar që ajo të pamuindësohet.

“Fatkeqësisht dhe aspak për fajin e saj, rolin i mërgatës është zvogëluar shumë pas luftës. Dhe kjo me fajin e qeverive të pasluftës. Megjithëse atyre u njihet e drejta e votës, praktikisht atyre u është pamundësuar pjesëmarrja në zgjedhje”.

“Pjesëmarrja e bashkëatdhetarëve në zgjedhje ka qenë e vogël për shkak se nuk u është mundësuar, si rrjedhojë e një procesi votimi të komplikuar. Ekzistojnë të gjitha arsyet që të kemi pjesëmarrje të madhe të mërgatës në zgjedhje. Prandaj me vlerësimin për gjithcka ka bërë mërgata për vendin, shfrytëzoj rastin që ta ftoj mërgatën që të jetë pjesë e zgjedhjeve të tetorit”.

“Vota e mërgatës është votë të cilën pushteti i deritashëm nuk e do, sepse është e lirë – as nuk mund të kushtëzohet, as të vidhet. Kjo pasi që bashkatdhetarët gjykimin politik e kanë të pavarur dhe jo të lidhur me interesa të caktuara”.