Ymeri fton gjilanasit ta kundërshtojnë “Zajednicën”

E publikuar: 21/08/2015 12:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në ceremoninë e 10 vjetorit të themelimit të kësaj lëvizje në Komunën e Gjilanit, u ka bërë thirrje banorëve të atjeshëm që ta kundërshtojnë themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, apo siç e quan LVV, “Zajednicën”.
Sipas tij, kjo ide e krijimit të bashkësisë serbe në Kosovë, nuk ka tjetër qëllim, pos ta shtrijë ndikimin edhe më të madh të Serbisë brenda sovranitetit shtetëror.

“Lëvizja në Gjilan ka 20 gushtin si datë të themelimit saj. Mirëpo, angazhimi politik i aktivistëve nëpër aksione të ndryshme politike ka ndodhur shumë para kësaj date, duke kundërshtuar kështu decentralizimin etnik që bëhej në Kosovë në përgjithësi, dhe në Anamoravë në veçanti. Pra, angazhimi politik i ka paraprirë organizatës. Decentralizimi që kundërshtonim që atëherë, është veç faza e parë e “Zajednicës” që duan ta bëjnë tash. Është faza e parë e krijimit të këtij entiteti të pavarur brenda Kosovës, porsi Republika Serbe në Bosnje, që ia pamundëson shtetit të Kosovës kontrollin në një pjesë të territorit, si dhe ia pamundëson sovranizimin dhe zhvillimin”, ka thënë Ymeri gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve.

“Ai në fund u bëri thirrje qytetarëve të Gjilanit që të bashkohen, dhe të angazhohen me gjithë potencialin në kundërshtim të projektit të “Zajednicës”, projekt ky që qëllim kryesor ka paralizimin e shtetit të Kosovës dhe rritjen e kontrollit të Serbisë brenda Kosovës”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga zyra e Lëvizjes Vetëvendosje.