Ymeri e quan metodë të UDB’së arrestim e të dyshuarve për sulmin në Kuvend

E publikuar: 30/08/2016 12:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i VV’së, Visar Ymeri i ka krahasuar me metoda të UDB’së aksionet e sotme të Policisë ku u arrestuan 6 aktivistë të VV’së të dyshuar për sulmin në objektin e Kuvendit.

“Është e njëjta metodë që e ka përdorur UDB-ja dhe SHIK-ut tash e sa kohë. Është ky regjim policor i cili kishte hyrë në zyra të VV’së për të shpërndarë frikë, me 28 nëntor 2015”, citohet të ketë thënë Ymeri në konferencën e jashtëzakonshme në selinë e partisë.

“Këto ndërhyrje të Policisë vetëm sa e bëjnë të qartë rrugën tonë deri në shkatërrimin e këtij regjimi të mafiozëve dhe kriminelëve”, ka thënë ai.

Në konferencë u tha se të arrestuarit po torturohen në stacionin policorë ku po mbahen.

Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi – të gjithë aktivistë të VV’së – janë arrestuar të martën në mëngjes, pas një bastisje të policisë në disa lokacione të ndryshme. Sipas Prokurorisë Speciale, ata dyshohet se ndërlidhen me sulmin e 4 Gushtit, me zollë, në Kuvend.

Polica dhe Prokuroria Speciale kanë njoftuar se “Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, në cilësinë e provave materiale, janë sekuestruar: gjashtë armë zjarri, tre pushkë automatike, 2 revole, një karabinë, municion,  si dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin”.

I arrestuari Frashër Krasniqi është edhe zëdhënës i VV’së, ndërsa Adea Batusha është mbesa e kreut të partisë, Visar Ymeri.