Tifozët e Interit tashmë e kanë një arsye për të buzëqeshur. Objektivi i madh i merkatos së verës mesfushori nga Bregu i FIldishtë, Yaya Toure mesa duket i ka thënë po Interit dhe në përfundim të këtij sezoni do të transferohet te skuadra zikaltër. Lajmi i bujshëm publikohet nga mediat italiane sipas të cilave futbollisti 31-vjecar ka pranuar ofertën e Interit. Presidenti i 18-të herë kampionëve të Italisë indoneziani, Erick Thohir kërkon të ndërtojë një skuadër të aftë për të fituar titullin e Serisë A sezonin e ardhshëm dhe me një lojtar fantastik si Toure në skuadër për Roberto Mancinin objektivi “Scudetto” tashmë mund të jetë më i arritshëm. Oferta që i ka propozuar Interi menaxherit të mesfushorit Dimitri Seluk është më e lartë se sa mendohej. Ausilio i ka vendosur në pjatë këtij të fundit një kontratë 4-vjecare nga e cila Toure do të përfitojë 5.5 milionë Euro në sezon por me bonuset kjo shifër mund të shkojë deri në 8 milionë Euro.
Interi ka vendosur një tavan pagash jo më shumë se 3.5 milionë Euro në vit për një lojtar por mesa duket Thohir e dëshiron me cdo kusht Yaya Toure-në saqë është gati të ndryshojë taktikë. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë është bindur nga projekti i Interit dhe nga fjalët e Roberto Mancinit, trajnerit të tij të preferuar duke zgjedhur zikaltërit. Tashmë pengesa e vetme e Interit në këtë operacion merkatoje është të marrë ok-in e Manchester City-it për të bërë të mundur kalimin e Toure në Milano. Zikaltërit pritet ti ofrojnë klubit anglez 8 milionë Euro plus 2 apo 3 milionë të tjera në formë bonusesh, për të mbyllur një marrëveshje për të cilën drejtuesit e Interit janë shumë optimistë. Për të përforcuar mesfushën Interi ka hedhur sytë nga futbollistët me përvojë dhe dy alternativa të tjera janë Thiago Motta dhe Felipe Melo. Ndërkohë Mancini u ka kërkuar drejtuesve të rinovojnë kontratën me portierin slloven Samir Handanovic e ardhmja e të cilit është vënë shpesh në dyshim. Trajneri i zikaltërve kurrësesi nuk dëshiron të privohet nga portieri 30-vjecar dhe klub ka gati një ofertë të re për rinovimin e kontratës me sllovenin dhe është gati ti ofrojë ish numrit 1 të Udineses një pagë prej 2.5 milionë Euro në sezon.