Xherdan Shaqiri mund të bëhet shumë shpejt kapiten i Përfaqësueses së Zvicrës. Përzgjedhësi Vladimir Petkovic ka folur për herë të parë në vitin 2015 për ekipin helvetik, duke bërë të ditur se Gokhan Inler mund ta humbë shiritin e kapitenit, pasi nuk po luan rregullisht në Napoli, ndërkohë që ia hapi dyert mesfushorit kosovar, që ta marrë shiritin, një përgjegjësi e madhe kjo. Ish-trajnerin e Lazios e gëzon fakti se Shaqiri po luan rregullisht tek Interi, duke e përgëzuar atë për zgjedhjen që e bëri që të largohej nga Bayern Munichu, ku kishte përfunduar në bankinë, përcjell Zëri.
“Është e qartë se Inler ia ka hapur dyert Shaqirit. Së fundmi, Inler e ka situatën e njëjtë të cilën e kishte Shaqiri në Bavari. Shaqiri tash po luan në një ekip të mirë, pasi ai e donte një ekip të mirë. Ai po luan rregullisht, gjë e cila nuk ndodhte në Bayern. Por, aty ka rotacione dhe ndonjëherë ai përfundon në bankinë. Kjo është normale”, deklaroi Petkovic për magazinën zvicerane. “Blick.ch”. Sipas këtij të fundit, 75-80 për qind e ekipit aktual të Zvicrës, mund të luajë së bashku edhe për 10 vjet.