Xhavit Drenori nuk e tërheq deklaratën për Imer Bekën

E publikuar: 07/08/2017 13:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhavit Drenori përmes një postimi të bërë në Facebook ka akuzuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Bekën, për inkurajim të korrupsionit në Komunën e Drenasit.

Por jo vetëm kaq. Drenori me anë të këtij statusi kishte theksuar se nuk është vrasës, por nëse një ditë do bëhej, do e vriste vetëm një njeri, Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka!

E pas gjithë kësaj ministrja në largim e Ministrisë së Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka deklaruar se kërcënimet dhe linçimi i tillë i hapur i gjyqtarëve dhe prokurorëve përmban elemente nacional-socialiste të cilën vetëm Partia Nacional-Socialiste e Hitlerit ka ditur ta bëjë derisa ka ardhur në pushtet.

Hoxha, ka krahasuar veprimet e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje me ato të Partisë Nacionale-Socialiste të Adolf Hitlerit, ish-liderit të Gjermanisë naziste.

I kontaktuar nga Indeksonline, Drenori ka bërë të ditur se nuk e tërheqë deklaratën e bërë, por që sipas tij askush nuk duhet të frikësohet pasi ai nuk është vrasës.

“Kam mbetur i befasuar nga reagimi i ministres, sepse në vend që të kërkonte  informacione se çfarë ka ndodhur realisht ose prej meje ose prej personave pas gjithë atyre kallëzimeve penale që janë dërguar e procedu dhe nuk ka reaguar Prokuroria. Janë deklarata të tilla puro-politike dhe aq më keq që bën krahasime  absolut jo-relevante”, ka thënë Drenori.

Madje, sipas tij, gjyqësia ka pasur para vetës gjithë faktet për korrupsion, por nuk ka vepruar.

“Më vjen keq për gjendjen e saj, sa i përket deklaratës sime po u them ju dhe Kryeprokurorit që unë nuk jam vrasës dhe nuk ka pse frikësohet. Unë për dy vite kam pas aktivitet monitorues të kryetarit dhe kam hasë në hajni të madhe në Drenas, dhe gjithë këtë e kam procedu në gjyqësi dhe ata nuk kanë vepruar, dhe jam befasuar për gjithë këtë gjë pas gjithë shkollimit dhe veprimtarisë mendoj se duhet të iket nga ky vend. Pra jemi në një shtet ku vidhesh në sy dhe organet gjegjëse nuk e bëjnë punën e tyre. Unë besoj se gjyqësori i varur nga politika është jashtë funksionit dhe jashtë detyrës së tyre dhe kanë bërë që të lulëzoj krimi dhe korrupsioni. I kanë pasur faktet në tavolinë dhe shumë lehtë kanë mundur të punojnë, por thjeshtë nuk kanë dashur”,ka shtuar Drenori.

Sipas tij, e gjithë kjo duhet të merret si vërejte dhe jo si kërcënim.

“Është e papranueshme mosveprimi i Prokurorisë, por edhe më i papranueshëm reagimi i ministres në detyrë. Nëse ai është ndjerë  i kërcënuar mua më vjen keq dhe i them se nuk ka nevojë të ndihet i kërcënuar pasi unë nuk jam vrasës dhe nuk kam nevojë me e tërhjekë deklaratën. Thjeshtë le ta marrin si vërejte, këshillë por jo si kërcënim sepse unë nuk jam vrasës”,ka përfunduar Drenori.