deshja Shqipëri-Armeni u prit dhe u përcoll me këngën e re kushtuar kombëtares “Kuq e Zi je ti”. Edhe pse këto ditë dëgjohej gjithandej, për disa tifozë kjo këngë del të jetë e papërshtatshme për të bërë tifo, në dallim prej asaj “Xhamadani vija-vija”, e cila thuajse mbeti nën hije. As analistët nuk po flasin mirë për këngën e re.
Ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Armenisë është pritur nga një këngë që titullohet “Kuq e Zi je ti”, kënduar nga Elvana Gjata dhe Flori, kushtuar Kombëtares shqiptare. Ndonëse u lansua veç pak ditë para ndeshjes, kjo këngë “pushtoi” trojet shqiptare, ndërsa shqiptarët shpejt thuajse e mësuan përmendsh.
“Se di pse nuk po e lëshojnë pak ma shpesh qet këngën e Elvana Gjatës dhe Florit. Sot, tyben nuk e kanë leshu as 200 herë”, kishte shkruar në Facebook gazetari Berat Buzhala.
Gazeta Zëri shkruan se krejt kjo ka bërë që edhe Halil Matoshi ta vërejë se nën hijen e kësaj kënge të mbetet ajo e famshmja “Xhamadani vija-vija”, këngë kjo që me vite të tëra i shoqëronte tifozët kosovarë rrugës drejt Tiranës për ta përkrahur ekipin kuqezi.
“E para e punës, dyshoj se i duhen fare Shqipërisë sot këngë të tilla turbofolku etnonacionalist, kur pret në paradhomat e Bashkimit Evropian – si projekti më i madh Perëndimor i të gjitha kohërave – dhe është indikativ fakti se Shqipëria po i rikthehet nacionalizmit për të cilin nga e majta që sot është në pushtet akuzohej me të drejtë Sali Berisha”, thotë për “Zërin” Matoshi.
“Në anën tjetër, projekti evropian bie ndesh me kulturat mojshore që spikasin projekte të shekullit 19 dhe fillimshekullit 20, e që ky projekt panshqiptar realisht ka dështuar, prandaj nuk i kuptoj shqiptarët përse këndojnë për dështimet e tyre historike”, shtoi ai.
Matoshi: “Kuq e Zi je ti” mbjell sherr
Analisti Halil Matoshi, thotë se kënga e re “Kuq e Zi je ti”, kushtuar Kombëtares, mbjell sherr, në vend se të ofrojë bujari shqiptare.
“Këngën e Elvanës dhe të Florit, për një Shqipëri të Madhe – ndonëse synohet të jetë himn futbollistik – e cilësoj si rikthim të porn-turbofolkut të tipit të Ceca Velickoviqit gjatë fashizmit të Millosheviqit, që më shumë ngatërron Shqipërinë me fqinjët në epokën e integrimeve sesa që ndihmon dhe motivon futbollistët, pra mbjell sherr nacionalist në vend që të ofrojë zemër të madhe e bujari shqiptare”, tha Matoshi, i cili konsideron se “Xhamadani vija-vija” do të ishte këngë më e pranueshme.
“Hiti “Xhamadani…” do të ishte më i pranueshëm për motivimin e futbollistëve të kombëtares së Shqipërisë, kur dihet se shumica prej tyre janë kosovarë, mirëpo edhe kjo këngë ka tejngarkesa emotive që barasvlerësohen me një keatsch nacionalist”, nënvizoi ai.
“Plisat”: “Kuq e Zi je ti” s’mund ta lë nën hije “Xhamadanin vija-vija”
Në anën tjetër, tifozët e rregullt të Kombëtares shqiptare, “Plisat” e Prishtinës, thonë se kënga e re nuk është e përshtatshme për të bërë tifo.
“Këngën “Xhamadani vija-vija” e dinë krejt tifozët dhe e këndojnë vazhdimisht. Kurse, këngën e re nuk e dinë, përveç asaj pjesës së theksueshme “Kuq e Zi je ti”. Kjo këngë s’ka të bëjë me tifo, është e papërshtatshme. “Xhamadani vija-vija” nuk do të harrohet asnjëherë, por gjithmonë do ta këndojmë. Ajo është motivi ynë dhe i futbollistëve”, ka thënë prijësi i “Plisave”, Albert Kastrati, i cili insiston se “Xhamadani vija-vija” do të mbetet e pazëvendësueshme.