Kur ishte transferuar në Gjermani në korrik të vitit 2012, 22 vjeçari kishte kërkuar shumë dhe i kishte prishur punët me trajnerin Lucien Favre, pasi mendja e tij ishte shumë lart. Madje, ai rrezikonte të largohej, pasi fliste shumë e punonte pak. Mirëpo, tash gjërat kanë ndryshuar dhe përfaqësuesi zviceran thotë se është pjekur si lojtar, e mbi të gjitha si person.
“Tash po sillem mirë dhe gjërat po shkojnë për mrekulli. Jam jashtëzakonisht i lumtur në Gladbach. E ndiej besimin e madh të skuadrës dhe trajnerit. Kjo nuk është e mirë vetëm për mua, por për tërë skuadrën”, thotë prishtinasi. “E di se në vitin tim të parë i kam bërë disa gabime. Mirëpo, tash ka marrë fund. Kam biseduar për disa gjëra me familjen time, por edhe me trajnerin dhe me Max Eberl. Kam bërë përparime dhe kam punuar në detaje. Po flas më pak dhe po punoj shumë. Jam 22 vjeç, kam mësuar, jam rritur dhe pjekur”, përfundoi Xhaka.
Ish-futbollisti i Baselit po shkëlqen këtë edicion në Bundesliga, por pati paraqitje impresionuese edhe në Europa League, ku nuk i munguan golat. Gjatë janarit, ai pati disa oferta, mbi të gjitha nga Italia, por vendosi t’i mbetet besnik Gladbachut, u e sheh të ardhmen e tij.