Xhaçka me homologun spanjoll: BE-ja të angazhohet që Kosova të ndërkombëtarizohet

E publikuar: 14/04/2023 15:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qasja strategjike e Spanjës ndaj Ballkanit Perëndimor është veçanërisht e mirëpritur.

Kështu u shpreh Olta Xhaçka, ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, gjatë një konference të sotme për media pas takimit me homologun e saj spanjoll, Manuel Albares Bueno.

Ajo tha se në takim është folur edhe për çështjen e Kosovës dhe për marrëveshjen e Ohrit me Serbinë. Kryediplomatja shqiptare tha se duhet sa më shpejt që kjo marrëveshje të zbatohet.

“Sigurisht diskutuam edhe për çështjen e Kosovës, e cila merr një rëndësi të veçantë duke qenë një hallkë themelore për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit. Shqipëria është mirënjohëse për angazhimin e BE-së dhe partnerëve tanë amerikanë për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ne shpresojmë që marrëveshja do të zbatohet në një kohë sa më të shkurtër, pasi kjo do të kishte një ndikim shumë pozitiv për stabilitetin, por edhe për bashkëpunimin rajonal dhe do të hap një perspektivë të re për një zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi ministrja Xhaçka, raporton Klankosova.tv.

Ndër të tjera, ministrja e Jashtme shqiptare tha se Kosova duhet të bëhet anëtare e sa më shumë organizatave ndërkombëtare për të shmangur izolimin e saj.

“Besojmë se është në të mirën e rajonit, por edhe të vetë BE-së, që me Kosovën të ketë një angazhim sa më të gjerë dhe sa më konstruktiv përfshirë edhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare për të shmangur një izolim që do të kishte pasoja jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë ne”, potencoi kryediplomatja shqiptare, Olta Xhaçka.