Kryeministri serb Aleksandar Vucic ka dhënë sinjalet e para se mund të propozojë ndryshime në kushtetutën e shtetit, të cilat pritet do të përfshijnë edhe largimin e referencës për Kosovën si krahinë e Serbisë.
Në një intervistë për gazetën Wall Street Journal, ai ka thënë se nuk do të ishte kundër idesë për të pyetur qytetarët serbë në lidhje me preambulën e aktit më të lartë juridik të vendit, të miratuar më 2006, e cila thotë se Kosova është “pjesë integrale e territorit të Serbisë”.
“Neve na duhet të diskutojmë për gjithçka me partnerët tanë në BE. Ne duhet ta diskutojmë këtë gjë edhe me popullin serb…Duhet të kemi një diskutim shumë të hapur për të ardhmen e Serbisë. Dhe kjo është e tëra”, ka thënë Vuçiq, raporton WSJ, transmeton Klan Kosova. “Ne duhet të jemi shumë të sinqertë me popullin tonë. Ne duhet të shohim gjithçka… Dhe, populli i Serbisë duhet ta thotë fjalën përfundimtare”.
Mediet serbe kanë raportuar muajin e fundit se Vuçiq ka folur për ndryshimet kushtetuese, që duhet të bëhen në dy ose tri vjetët e ardhshme për shkak se këto ndërrime kërkohen nga Brukseli. Megjithatë, në intervistë për WSJ ai ka mohuar që ato do të bëhen për shkak të Kosovës.
Kryeministri ka thënë se ndryshimet duhet të ndodhin para vitit 2017, ndërsa ka sqaruar se ai po e inicon këtë çështje “edhe pse e di që kjo nuk është një çështje e pëlqyeshme në Serbi”.