Caroline Wozniacki fiton për herë të dytë në karrierë turneun “Pan Pacific Open”. Në Tokyo tenistja daneze mposhti pa shumë vështirësi në dy sete, japonezen Naomi Osaka duke bërë të sajin trofeun e edicionit numër 33 të këtij turneu. Wozniacki që për momentin renditet e 28-ta në klasifikimin e WTA, përmbushi të gjitha pritshmëritë duke bindur në finalen ndaj Osakës.
Ish-numri 1 i Botës e nisi keq sfidën duke humbur që në game-in e tretë turin e shërbimit, megjithatë Wozniacki u kujtua në kohë për të reaguar duke fituar tre game me break dhe gjithë setin 7-5. Në setin e dytë gjërat ishin më të thjeshta për tenisten daneze që arriti të kryesonte deri në 5-0. Osaka nuk u dorëzua dhe fitoi 3 game pasardhëse por vetëm kaq sepse Wozniacki mbylli llogaritë me kundërshtaren e saj në 1 orë e 48 minuta lojë me shifrat 7-5 6-3. Në konferencën për shtyp në përfundim të sfidës, 28-vjecarja skandinave u shfaq shumë e kënaqur për paraqitjen duke theksuar se ky sukses do t’i shërbejë asaj për ta mbyllur në mënyrën më të mirë vitin 2016.