Wolfsburg nënshtron Realin, PSG barazon 2-2 me Man. City

E publikuar: 06/04/2016 23:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjermanët japin një tjetër leksion futbolli. Wolfsburgu realizoi surprizën e madhe të çerekfinaleve të Champions League, duke fituar 2-0 sfidën e parë përballë Realit të Madridit.

Ricardo Rodriguez zhbllokoi rezultatin në të 18-ën me 11-metërsh, duke i përgënjeshtruar të gjithë ata që besuan se Reali kishte shortin më të lehtë.

Wolfsburgu dyfishoi në të 25-ën me Maximilian Arnold, pas asistit të Bruno Henrique. Përpos surprizës suksesi 2-0 bën që gjermanët realisht të besojnë te kalimi në gjysmëfinale, edhe pse në sfidën e kthimit në 12 Prill në Bernabeu misioni nuk është aspak i lehtë.

Gjithçka e hapur në duelin e milionerëve, me Paris Saint Germain që barazoi 2-2 në shtëpi përballë Manchester City-t. (14 penallti e humbur Ibra) Kevin De Bruyne kaloi në avantazh citizens në të 38-ën, pasi më parë Ibrahimovic gaboi një 11-metërsh.

Por, suedezi e rikuperoi gabimin në fundin e pjesës së parë, duke rikthyer barazpeshën. Parizienët arritën të përmbysnin shifrat me Rabiot në të 59-ën, por Fernandinho barazoi rezultatin në 2-2, kur kronometri tregonte 72 minuta lojë, duke e mbajtur Manchester City-n në pozita mjaft të mira drejt gjysmëfinaleve.