Pilotët e Formula 1 janë duke shijuar pushimet e zakonshme të kësaj periudhe megjithatë ashtu si edhe 12 muaj më parë mungon rivaliteti përsa i përket skuadrave, pasi ekipi Mercedes vazhdon të dominojë këtë sport. Vitin e kaluar ekipi gjerman humbi vetëm 2 nga 11 garat e fazës së parë, sidoqoftë gjërat në Formula 1 vijojnë po njësoj teksa skuadra Mercedes edhe këtë sezon është mundur vetëm dy herë në 10 garat e para të kësaj periudhe, që të dyja ato fitore të siguruara nga piloti i Ferrari-t Sebastian Vettel. Drejtori ekzekutiv i ekipit Toto Wolf i gëzohet sukseseve të njëpasnjëshme të skuadrës por njëherësh reflekton edhe mbi situatën aktuale. Të dy pilotët e ekipit janë në krye të klasifikimit ndërsa në renditjen e konstruktorëve skuadra Mercedes ka një avantazh prej plot 147 pikësh kundrejt Ferrari-t, megjithatë 43-vjecari austriak nënvizon faktin që në edicionin e sivjetshëm dy pilotët e ekipit nuk kanë patur ende fërkime ndërmjet tyre. Pas konflikteve dhe polemikave të shumta të vitit 2014 gjatë këtij sezoni gjërat duket se po shkojnë mirë për dyshen Hamilton – Rosberg, pavarësisht se rivaliteti për titull përsa i përket pilotëve sërish është përqëndruar mes tyre.
Në një intervistë të dhënë Toto Wolf deklaroi se tashmë që të dy pilotët janë mësuar me atmosferën kompetitive dhe sipas tij si Hamilton ashtu edhe Rosberg janë të vetëdijshëm që kanë në dispozicion një makinë që ju mundëson fitimin e garave dhe të kampionatit. Ish-piloti vjenez shton se tani që të gjithë në skuadër janë përshtatur me situatën dhe kanë përmirësuar mënyrën e komunikimit, por mbi të gjitha stafi tashmë është në gjendje për të analizuar më mirë dobësitë dhe gabimet, pa vënë gishtin apo akuzuar dikë tjetër sic ka ndodhur në të kaluarën. Për Wolf vazhdimi i kësaj pune së bashku si dhe triumfi i vitit të kaluar i kanë krijuar skuadrës mundësinë për të punuar e qetë dhe e përqëndruar, pa humbur aspak entuziasmin dhe kompetitivitetin. Për të ky mentalitet nuk ka ndryshuar më pasi ekipi fitoi vitin e kaluar dhe kërkon të bëjë po të njëjtën gjë edhe sivjet, sidoqoftë pavarësisht këtij dominimi kritikat nuk kanë munguar në adresë të skuadrës gjermane por gjithsesi drejtori ekzekutiv i skuadrës Mercedes rrëfeu se stafi do të vazhdojë të bëjë punën e tij, ndërsa për të tjerat flasin vetë rezultatet, ndërkaq 43-vjecari vjenez e mbylli deklaratën e tij duke shpjeguar se kritikat janë dicka e pritshme, dhe krejt normale për një ekip që dominon botërorin në këtë mënyrë.
Gara e ardhshme e Formula 1 do të jetë ajo e Cmimit të Madh të Belgjikës në pistën e famshme të Spa – Francorchamps më datë 23 gusht dhe për momentin në renditjen e pilotëve kryeson britaniku Lewis Hamilton, me kampionin në fuqi që ka një avantazh prej 21 pikësh kundrejt gjermanit Nico Rosberg.