Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger beson se skuadra e tij ka atë që i duhet që të përmirësojë “gabimin e madh” që bëri në ndeshjen e parë ndaj Monacos në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Londinezët shkojnë në Francë në ndeshjen e kthimit pasi pësuan 1-3 ndaj skuadrës franceze, ku pritet ta kenë shumë të vështirë që ta rikthejnë rezultatin.
Megjithatë, Wenger është i vendosur që të krijojë diçka të veçantë në Monaco në mënyrë që të kalojnë në çerekfinale.
“E morëm gabim në ndeshjen e parë. Ajo që doni në jetë është një mundësi që të bësh mirë. Ne e kemi mundësinë që të bëjmë kështu, andaj do të japim gjithçka që ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, deklaroi francezi, transmeton koha.net.
“Jemi në një pozitë ku Monaco është skuadra favorite. Ne mund të shkojmë atje dhe të krijojmë diçka të veçantë. Besoj se do të kemi dëshirën që të bëjmë kështu”, shtoi ai.
“A është i gjithë presioni në Monaco? Ata mund ta humbasin ndeshjen. Tashmë e kanë fituar atë, por akoma mund ta humbasin”, tha mes tjerash Wenger.