Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka lavdëruar sulmuesin Olivier Giroud për paraqitjen në fitoren 3 me 0 ndaj West Hamit.
Giroud hapi serinë e golave, ndërsa më vonë ndihmoi në golat e Aaron Ramseyt dhe Mathieu Flaminis për fitoren e radhës të “Topçinjve”.
“Giroud pati një ndeshje të jashtëzakonshme sot. E di se të gjithë futbollistët ofensivë kanë kualitete për të bërë diçka të veçantë, por e sigurt është që ata po kuptohen mes vete shumë më mirë sesa para gjashtë ose shtatë muajsh. Kjo po e bën secilin më të rrezikshëm para kundërshtarit”, ka thënë Wenger.
Francezi shtoi se Giroud ka mentalitet të veçantë dhe falë kësaj force ka arritur të ketë sukses në karrierë.
Arsenali të martën takohet me Monacon në ndeshjen e kthimit në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve. Në Emirates “Topçinjtë” u mposhtën me rezultat 3 me 1.