Pak ditë parë, në përfundim të Superkupës së Anglisë, trofe të cilin Arsenali e fitoi duke mposhtur 1-0 Chelsean, nuk denjoi të shtrëngonte duart me Jose Mourinhon, por si profesionist i vërtetë e pranon se “Blutë e Londrës” mbeten favoritë për të triumfuar për të dytin vit radhazi në Premier League. Arsen Wenger e di shumë mirë se skuadra për t’u mposhtur në garën për titull mbetet Chelsea, ndonëse këmbëngul se formacioni i tij është gati për t’u lëshuar sfidën kundërshtarëve. Sezonin e kaluar “topcinjtë” e mbyllën kampionatin në vendin e tretë, falë një faze të dytë fantastike, por që nuk mjaftoi për t’e kërcënuar vendin e parë skuadrës së Mourinhos.
“Ne jemi gati për të luftuar për titullin kampion. Sezonin e kaluar patëm një start të dobët, që kushtëzoi mundësitë tona për të rivalizuar për këtë trofe. Kalendari në tri javët e para është shumë i vështirë, kemi për të zhvilluar dy derbi një përballjen me Liverpoolin. Na vjen mirë që këtë sezon konsiderohemi rivalë për titullin, më parë askush nuk fliste në këtë mënyrë për ne.”
Wenger konfirmoi se Alexis Sanchez do të mungojë në ndeshjet e para të sezonit për arsye dëmtimi, por mund të riaftësohet për sfidën me Liverpoolin, që do të zhvillohet më 24 Gusht. Sipas trajnerit francez, nëse Arsenali e nis mirë sezonin, titulli kampion mund të bëhet pronë e “topcinjve” pas 12 vjetësh./ss/