Pranimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është vendim i pritshëm, pas marrëveshjes së arritur në Ohër”. Kështu deklaroi Bodo Weber, analist politik nga Berlini, në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTK, në kuadër të programit të mëngjesit.
Ai ka thënë se edhe më herët dihej se shtetet perëndimore e kishin bllokuar kërkesën për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Megjithatë, sipas tij, mosbllokimi i anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, prandaj ky është vetëm hapi i parë i propozimit evropian të dakorduar, por të pa nënshkruar nga Ohri.
Weber shtoi se pranimi i Kosovës në anëtarësim në Këshillin e Evropës do të nënkuptonte zhbllokimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare.
“Do të ishte fillimi i zbatimit të propozimit evropian për Kosovën, përkatësisht marrëveshjes së Ohrit”, tha ai.
“Këtë rrugë paraprakisht e kanë bllokuar disa shtete perëndimore, përfshirë edhe Gjermaninë, derisa u pranua kjo marrëveshje, dhe po ashtu pamë këto ditë që Parlamenti Evropian zhbllokoi liberalizimin e vizave për Kosovën, e cila dihej se do të ishte e bllokuar nga BE-ja deri në pranimin e marrëveshjes ”, tha Bodo Weber, analist politik nga Berlini