Weber: Koordinim i ngushtë Grenell-Thaçi për negociatat që s’shpijnë askund

E publikuar: 19/04/2020 23:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sinjal për koordinim të ngushtë midis Grenellit dhe Thaçit dhe paralajmërim që LDK-së do t’i jepet mandati për Qeveri, i vlerëson analisti Bodo Weber postimet në Twitter, të dielën, të të dërguarit të administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi dhe të parit të vendit. Weber në një prononcim për KOHËN megjithatë ka shprehur dyshime për konkretizimin e ndonjë marrëveshjeje nga negociatat Grenell-Thaçi-Vuçiq.

I pari kishte qenë presidentit Thaçi, i cili përmes një postimi në Twitter deklaroi se këtë javë do të ndërmarrë hapa konkret për formimin e një Qeverie të re. Ai po ashtu ka shtuar se tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën.

Weberi ka thënë se postimet janë paralajmërim se presidenti Thaçi do ta bëjë javën e ardhshme atë që e ka paralajmëruar më herët. “Ai do t’ia dorëzojë LDK-së mandatin për krijimin e Qeverisë, duke mos përfillur dyshimet e thella rreth kushtetutshmërisë së këtij veprimi”, ka thënë ai.

Thaçi që pas rënies së Qeverisë, ia ka dërguar katër letra të parit të Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nga i cili ka kërkuar një emër për mandatar të Qeverisë. E analisti, Ramush Tahiri, ka thënë se jo më larg se këtë javë, mandati për formimin e Qeverisë do t’i jepet LDK-së.

Për analistin gjerman, Weber, ky do të jetë një kapitull i ri, “më shqetësuesi kur janë në pyetje zhvillimet e brendshme politike”.

“Do të jetë shfuqizim i rëndë dhe kolektiv i demokracisë dhe kulturës politike në Kosovë, ku ligjet, kushtetuta dhe faktet janë thjeshtë mjete në betejën për pushtet”, i ka thënë ai KOHËS.

Më 4 mars të këtij viti, me ftesë të Grenellit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë qëndruar në Washington. Ndonëse jo publikisht, një burim nga Zyra e Presidentit i ka thënë KOHËS se qëllimi i takimit ka qenë zhvendosja e dialogut nga Brukseli në Washington, si dhe shtytja e palëve për rinisje të procesit. “Është kërkuar një dinamikë e re, e cila do të garantonte një marrëveshje të shpejtë”.

E se ka një marrëveshje sekrete e cila është arritur gjatë kësaj vizite, ka deklaruar Kurti.

“Nuk bëhet fjalë për heqje të tarifës e për fillim të dialogut, kjo është gënjeshtër. Bëhet fjalë për heqje të tarifës e për mbyllje të dialogut me një marrëveshje të gatshme, midis dy presidentëve. Unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme”, ka thënë ai.

Weberi thotë se askush nuk e di nëse një marrëveshje Kosovë-Serbi mund të ndodhë së shpejti, shkaku i natyrës “jotransparente, jodemokratike të këtyre negociatave sekrete që duket se po zhvillohen nga treshja Grenell-Thaçi-Vuçiq, të cilën gjë e dëshmojnë edhe vetë me këto postime”.

Vetë Grenelli ka mohuar për mediat se ka marrëveshje.

“Grenelli, bashkë me kolegët e tij në Departamentin amerikan të Shtetit kanë insistuar se nuk po negociojnë rreth një marrëveshjeje për shkëmbim territoresh. Në rregull, por përse atëherë Grenelli, të cilin ish-këshilltarja për Siguri Kombëtare rishtazi e ka cilësuar si një prej ‘njerëzve më të pasinqertë që kam takuar ndonjëherë’, ka vepruar në mënyrë të njëjtë, të fshehtë, të traditës së trojkës, si Mogherini dhe ka bashkëpunuar me dy presidentët edhe më shumë sesa Mogherini, nëse ai synonte një marrëveshje njëmend gjithëpërfshirëse që siguron njohjen e Kosovës nga Serbia në kufijtë e saj ekzistues”, është pyetur Weber.

Ai megjithatë ka dyshime se pa marrë parasysh se çfarë po negociohet prej të treve, “ndonjë marrëveshje e tillë do të jetësohet”.

Ndërkaq ai ka komentuar edhe emërimin të dërguari të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak,

Weberi thotë se ndonëse “pajtohet shumë rrallë me të, ai është i të njëjtit mendim me Lajçakun: Se ka vetëm një dialog, ai i udhëhequr nga BE-ja, me mandat të OKB-së”.

“Kjo do të thotë se ose do ta kemi një dialog të udhëhequr nga BE-ja, duke nisur prej një ripërcaktimi serioz, që definon parimet bazë dhe synimet që na kanë munguar gjatë tri viteve të kaluara, ose do të kemi negociata të trojkës, të udhëhequra prej një të dërguari të SHBA-së, që nuk njeh parime, negociata këto që nuk do të shpijnë askund, përpos që do të humbin kohë dhe do t’i shkaktojnë dëme të rënda demokracisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë”, ka thënë ai.

Kurti e Thaçi kanë shkëmbyer letra që pas rënies së Qeverisë, ku ky i fundit kërkonte emrin e një mandatari për Qeverinë e re. Ndërkaq kryeministri në detyrë, disa herë i ka thënë Thaçit se po përdorë standarde të dyfishta, duke shtuar se kërkojnë zgjedhje menjëherë pas kalimit të situatës me pandeminë.