Walker: Duhet me u përly me baltë për me ndërtue Kosovën

E publikuar: 15/01/2016 21:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbas homazheve në kompleksin memorial, liderat e naltë dhe disa nga pjesmarrësit në ceremoninë e gurthemelit të shtatores së ish-ambasadorit Walker, u drejtuen për në Shtëpinë e Kulturës së Shtimes.

Në akademinë përkujtimore u përcoll edhe nji herë atmosfera e randë e ditëve të ftofta të Kallnorit të vitit 1999.

I ulun në shkallë dhe i emocionuem, William Walker i shihte të gjithë dhe nuk pritonte me bisedue me njerëz, të cilët ndoshta asnjiherë nuk i kishte pa.

Për ish-ambasadorin dhe vetë njeriun që tërhoqi vemendjen e opinionit ndërkombëtar se në Kosovë po kryhet gjenocid, nuk i nevojitet pregaditje për fjalim, mbasi ai flet atë që zemra e ndjen.

Walker tha se në Reçak ndjehet si në familjen e tij dhe se masakra ja ndërroi jetën përfundimisht. Ai tha se në Kosovë, kurrkush nuk duhet me kërkue leje për me bisedu ose me u fotografue me të, sepse ai asht i lidhun shpirtnisht me këtë vend.

Walker asht i befasuem me ngritjen e shtatores, mbasi nuk e ka pritë këtë gja.

Në fund ai tha se duhet me u përlye ma shumë me baltë, nëse veç dëshirojmë nji vend ma të mirë.

E ndryshe nga Walker, liderat që ju drejtuen foltores, kishin fjalim të pregadituna.

Simbas Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, çdo 15 Kallnor asht nji dhimbje që përsëritet.

Ma tej, Presidentja tha se Reçaku tregon krenarinë e popullit dhe kujtimin e pashlyem për njerëzit e tij.

Ndërsa kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, tha se dimni i 17 viteve ma parë, ka qenë  dimni i fundit i robnisë së Kosovës nga Serbia.

Ai tha se ideali i atyne kohëve nuk ka qenë lufta për këtë Kosovë që asht sot.

Për kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim Ismajlin, Masakra e Reçakut në historinë e njerëzimit asht dhe ka me mbetë vulë e përgjakun.

Nga ana tjetër, edhe pse para nji dite e kishte lajmërue zyrtarisht pjesmarrjen e tij në ceremoninë e homazheve për viktimat e kësaj masakre, Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, nuk u pa sot në Reçak.