VV thotë se njoftoi delegacionin e BE-së për gjykatën speciale dhe mashtrimet e Thaçit

E publikuar: 11/01/2018 10:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizje Vetëvendosje ka pritur dje në takim të përbashkët Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Christian Hellbach dhe shefin për Ballkan të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës Thomas Bartin.

Në takim përfaqësuesit e VV-së, Albin Kurti, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha dhe Glauk Konjufca përmes një komunikate për medie kanë bërë të ditur se kanë njoftuar për gjendjen aktuale Kosovë.

“Në takim u diskutua për gjendjen aktuale politiko-institucionale dhe socio-ekonomike në Kosovë, për integrimet euro-atlantike, e për raportet midis vendeve të rajonit në Ballkanin perëndimor. Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s theksuan që punësimi dhe drejtësia, përkatësisht zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit, për të gjithë e në gjithë territorin, janë vendimtare për shtetndërtimin e domosdoshëm dhe progresin aq të nevojshëm në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Më tej në këtë komunikatë thuhet se takimit i është kushtuar theks i veçantë Gjykatës Speciale, demarkacionit me Malin e Zi si dhe janë përcjellë mashtrimet e presidentit Thaçi.

“Theks i veçantë në takim iu kushtua Gjykatës Speciale dhe çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. U përcollën qëndrimet e mirënjohura të Lëvizjes, mbi padrejtësinë e Gjykatës, mashtrimet e Presidentit Thaçi dhe gabimet e demarkacionit me Malin e Z”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes./insajderi/