Shtatë zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës “Guxo” tërhoqën rreth 11 mijë euro nga Fondi Pensional i Kosovës pas ndryshimit të Ligjit për Fondet Pensionale më 2020.Ministrat Liburn Aliu, Albulena Haxhiu, Faton Peci, si dhe deputetët Visar Korenica, Jeta Statovci, Adnan Rrustemi dhe Arijeta Rexhepi, shfrytëzuan mundësinë e tërheqjes së 10 për qind të mjeteve nga Trusti Pensional më 2020, ndonëse ndryshimet ligjore asokohe ishin kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruan “Paparaci”.
Një iniciativë tjetër për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale, është iniciuar së fundmi nga deputeti i opozitës, Bekim Haxhiu.Por, pushteti aktual qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje ka kundërshtuar hapur propozimin e opozitës, sikundër kishte ndodhur dy vjet më parë.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se tërheqja e mjeteve nga Trusti Pensional “nuk është zgjidhje” për përballimin e krizës së çmimeve.“Nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin”, ka thënë Kurti të hënën.
Megjithatë, qëndrimin e shefit të qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e kishin përfillur shtatë anëtarët e shumicës qeverisëse dy vjet më parë.Bazuar ne deklarimet e pasurisë më 2021, shtatë ministra e deputetë aktual të pushtetit qeverisës kanë tërhequr rreth 11 mijë euro nga Trusti Pensional i Kosovës më 2020.Ministrja Albulena Haxhiu tërhoqi 2 mijë e 390 euro, apo 10 për qind të kursimeve të saj në Fondin Pensional, bazuar në të dhënat e Agjencisë Kundër-Korrupsion.
Ministri Liburn Aliu tërhoqi 2 mijë e 658 euro, ndërkaq kolegu i tij, Faton Peci, nxori nga 918 euro nga kursimet e tij individuale.
Rastin për t’u pasuruar nga kursimet e Fondit Pensional, e kishin shfrytëzuar edhe katër deputetë të Grupit Parlamentar të LVV-së.Adnan Rrustemi, kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe deputet i LVV-së, tërhoqi 2 mijë e 84 euro nga kursimet e tij në Fondin Pensional.
Kolegia e tij, Arijeta Rexhepi tërhoqi 1 mijë e 200 euro.Visar Korenica u pasurua për 1 mijë e 762 euro nga tërheqja e kursimeve të tij pensionale.Jeta Statovci, e Listës “Guxo”, tërhoqi 480 euro pas ndryshimit të Ligjit për Fondin Pensional.Sipas të dhënave të institucioneve qeveritare, afër 200 milionë euro ishin tërhequr nga Fondi Pensional i Kosovës më 2020.
Mbi 420 mijë kontributpagues ishin përfshirë në tërheqjen e mjeteve të kursyera të tyre. Tërheqja ishte mundësuar pas miratimit të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.Bekim Haxhiu, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës i cili inicioi propozimin ligjor për tërheqjen e kursimeve nga Trusti, ka thënë se janë 12 deputetë të shumicës qeverisëse të cilët mbështetin ndryshimet ligjore në Fondin Pensional.

















