VV po e shtyn Kosovën drejt krizës së re, PDK i thotë jo takimit të thirrur nga Basha për 1 shtator

E publikuar: 30/08/2025 16:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës ka hedhur poshtë ftesën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Dimal Basha nga radhët e VV-së për mbajtjen e takimit të kryesisë ditën e hënë nga ora 13:00, duke rikujtuar se Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, pasi nuk është zgjedhur kryesia në përbërjen e plotë kushtetuese, raporton KosovaPress.

Dimal Basha sot shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pa u zbatuar në tërësi Neni 67 i Kushtetutës së Kosovës.

Në këto rrethana, PDK e konsideron të pakuptimtë ftesën për takim të Kryesisë së Kuvendit që nuk është konstituuar duke thënë se nuk merr pjesë në takime të tilla, të cilat i shërbejnë vetëm agjendave partiake e jo interesit të shtetit, raporton KosovaPress.

PDK vlerëson se zvarritjet e qëllimshme në procesin e themelimit të institucioneve shtetërore, të shkaktuara nga partia e parë, janë skajshmërisht të rrezikshme për Kosovën.

Edhe pse nuk kishte detyrim kushtetues apo politik, Partia Demokratike e Kosovës mori mbi vete përgjegjësinë institucionale duke votuar për Kryetarin e Kuvendit, me qëllim të vetëm zhbllokimin e institucionit më të lartë përfaqësues të qytetarëve, thuhet në reagim.

PDK thotë se skemat populiste të Vetëvendosjes po e dëshmojnë frikën e saj nga hyrja e ligjshme në afatet kushtetuese për të provuar krijimin e qeverisë së re.

“Kjo qasje, me fajin e tyre, po e shtyn Kosovën drejt një krize të re institucionale, pasojat e së cilës do t’i bartin shteti dhe qytetarët tanë”, rikujton PDK-ja.

Kuvendi i ri i Kosovës duhet të konstituohet, sipas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, deri më 17 shtator. Ndërkohë është zgjedhur kryetari dhe katër nënkryetarët e ri të Kuvendit, por jo edhe anëtari i pestë që vjen nga radhët e komunitetit serb.