Krijimi i një regjimenti me udhëheqësi serbe në Forcat e Armatosura të Kosovës është rrezik për ushtrinë e ardhshme të vendit dhe vetë institucionin, pasi kjo ushtri mund të ndahet në baza etnike dhe të futen në të paramilitarë serbë. Shqetësimin për këtë e ka shprehur të dielën Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, duke thënë se kundërshton çdo ndarje etnike në vija etnike të ushtrisë së Kosovës.
Rexhep Selimi, deputet në Kuvendin e Kosovës nga VV-ja, tha se është e nevojshme që Kosova ta ketë të drejtën për këtë ushtri dhe kjo nuk duhet t’i lihet Beogradit apo të pyetet për këtë Serbia. Sipas tij, ushtria e Kosovës nuk duhet të jetë e përçarë nëpër tavolina politike.
Në këtë konferencë të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, u tha po ashtu se është e drejtë të mos i besohet më Qeverisë së Kosovës, për shkak se kjo qeveri është duke bërë ndarje etnike. /Gazeta Tribuna/