Partitë politike kanë nisur t’i bëjnë publik emrat të cilët do të jenë pjesë e listës zgjedhore në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në qendrat e partive në komuna ka filluar përzgjedhja e kandidatëve për deputetë, duke bërë kështu që të aludohet se disa prej deputetëve të partive në legjislaturat e kaluara kanë mbetur jashtë listës.
Lëvizja Vetëvendosje është njëra nga partitë që ka përfunduar përzgjedhjen e kandidatëve nga qendrat.
Ajo në një përgjigje për KOHËN ka sqaruar se mospërfshirja e disa ish-deputetëve në listat që janë propozuar nga qendrat në komuna, nuk do të thotë se nuk do të jenë në listën përfundimtare.
Sipas VV-së, pjesa e mbetur e kandidatëve për deputetë do të plotësohet nga kryesia e partisë dhe vetë kryetari.“Në fillim të javës kemi shpallë zgjedhjet e brendshme për kandidatë për deputetë nga qendrat tona. Sipas Statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të zgjedhurit nga Këshillet e Qendrave do të përbëjnë ½ e listës përfundimtare të kandidatëve për deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Pjesa tjetër e Listës, pra gjysma tjetër, do të plotësohet nga Kryesia (¼) dhe Kryetari i Lëvizjes (¼). Shumë shpejt, e gjithsesi para afatit të përcaktuar nga KQZ-ja, do të bëhet publike edhe lista e plotë e kandidatëve për deputetë”, thuhet në përgjigjen e VV-së.
Afati për dorëzimin e listave të partive në KQZ përfundon të shtunën më 16 janar në ora 18:00.