Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë në një konferencë për medie ka kritikuar kryetarin e Komunës, Përparim Rama, në lidhje me tenderin prej 12 milionë euro për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”, raporton Ekonomia Online.
Asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, kanë thënë se kjo kontratë është e dyshimtë, pasi është fushë e njëjtë profesionale me atë të kryetarit Rama.
Asamblistja Triera Kasumi-Berisha, tha se kryeqyteti ka një listë të gjatë problemesh kronike, por sipas saj, jepet një tender milionësh që është sa 13% e buxhetit vjetor.
“Banorët e këtij qyteti i cili karakterizohet me më së shumti qenë endacakë në rajon, qyteti i cili është mbuluar me mbeturina, ka mungesë të ujit të pijshëm në disa lagje e fshatra, mungesë të ndriçimit publik, mungesë të rrugëve e cilësi të dobët të asfaltit, uzurpim të hapësirave publike e një listë të gjatë me probleme kronike, më emergjente e kanë themelimin e një shërbimi të arkitekti të kryeqytetit i cili Prishtinës i kushton sa 13 për qind e buxhetit të përgjithshëm vjetor”.
Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, u shpreh se kryetari Rama nuk as ka vullnet e as vizion për t’i zgjidhur problemet e kryeqytetit.
“Janë bërë tetë muaj prej që Përparim Rama e ka marrë pushtetin. Sot, Prishtina është në gjendje më të keqe se para tetë muajve. Janë probleme reale, elementare, të thjeshta, të cilat zgjidhen lehtë, mjafton vetëm vullnet dhe vizion”.
“Disa probleme janë të trashëguara, disa kanë ardhur bashkë me Përparimin. Po ka shumë marketing, shumë kamuflime e punë konkrete hiç. Është shqetësues fakti se kryetari Rama ka filluar të ndihet rehat në këtë parehati të qytetarëve”.