Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë duke vazhduar punimet në Kuvendi gjatë natës së 5 dhjetorit, pa praninë e asnjë deputeti të opozitës.
Ky veprim ka shkaktuar reagime të ashpra nga opozita dhe shoqëria civile, të cilët e kanë cilësuar këtë akt si një “puç parlamentar” dhe shkelje të praktikave demokratike.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ironizoi situatën duke kujtuar deklaratat e mëparshme të kryeministrit Albin Kurti mbi seancat e natës.
“Cirku në Kuvendin e Kosovës po vazhdon edhe në këto orë të vona. Në orën 22:15 më vjen ftesa që mbledhja e komisionit fillon në orën 22:10.
Mbledhja e komisionit do të mbahet: Të enjten, më 5 dhjetor 2024, në orën 22:10, në sallën N-10, ndërtesa e Kuvendit… Mos i harroni ato qerrjet e Albin Kurtit: ‘Po manin seancat natën!’”, ka shkruar Musliu.
Besnik Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e quajti këtë situatë “puç parlamentar” dhe akuzoi VV-në për shmangie nga rregullat e Kuvendit.
“Sonte po ndodhë puçi parlamentar dhe shembja e demokracisë!
Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të respektojë procedurat e rregullta të thirrjes së seancave parlamentare. Shmangia nga logjika normale parlamentare në pikë të natës, pa asnjë urgjencë është puç parlamentar dhe kontrabantim i Ligjeve pa konsultimet që i ka obligim ti bëjë Kuvendi”, ka shkruar Tahiri.
Ismet Kryeziu, drejtues i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), komentoi se punimet e Kuvendit në mesnatë krijojnë përshtypjen e një “ndeshjeje futbolli ku në fushë luan vetëm një ekip, pa kundërshtar”.
“Kuvendi i Kosovës ende në këto orë po i vazhdon punimet e tij me prezencë vetëm të shumicës parlamentare. Nëse e shikon, të krijon përshtypjen e një ndeshjeje futbolli ku në fushë luan vetëm një ekip, pa kundërshtar”, ka shkruar Kryeziu.