Analistet, Ilir Mirena dhe Astrit Gashi po e shohin problematike formimin e qeverisë pas këtyre zgjedhjeve.
Mirena ka thënë që faktor vendimtar në këtë situate do të jetë Lëvizja Vetëvendosje.
“Numrat nuk janë në favor të koalicionit PAN e faktori determinues do të jetë Lëvizja Vetëvendosje. Prej tyre varet se a do të futet vendi serish në një krizë. Sipas meje VV-ja do të duhej të lejonte krijimin e një qeverie të brishtë e të qëndronte në opozite, që në zgjedhjet e ardhshme do t’ju shpërblehej. Megjithatë kemi edhe një rrezik për VV-ne, nëse e krijon perceptimin tek popullata se po bllokon proceset e qeverisë, do të mund t’i kthehet si bumerang në zgjedhjet e ardhshme” ka thënë Ilir Mirena.
Probleme tek numrat e koalicionit PAN po sheh edhe Astrit Gashi, i cili ka potencuar që ky koalicioni përveç minoriteteve ka nevojë edhe për të paktën votën e njërit prej deputetëve nga partitë e tjera.
“PAN edhe nëse i ka të gjitha votat e minoriteteve, duke përfshirë edhe serbët, nuk i kanë 61 votat e nevojshme fillimisht për ta zgjedhur kryetarin e kuvendit. Ky koalicioni ka nevojë për edhe një ose dy vota, që duhet marrë nga partitë tjera, për të votuar për kryetarin e kuvendit. E në qoftë se nuk i ka minoritetet PAN thyhet, sepse nuk ka mundësi ta ndërtoj qeverinë. E në rast të kësaj thyerje nuk ka kush të bëj qeverinë tjetër përveç LDK-së dhe VV-së” ka thënë Astrit Gashi, njofton Klan Kosova.



















