Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci në konferencën për media ka thënë se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është i paprecedent dhe do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, raporton Ekonomia Online.
“Jemi dëshmitarë që shpërndarja e Kuvendit paraqet një akt të paprecedent që bie ndesh… dhe ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka asnjë arsye që kjo të ndodhte sot një akt i tillë sot në mëngjes”, tha ajo.
Ajo tha se sot ishte paraparë të mbahet një seancë parlamentare për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me vlerë 100 milionë euro.
“Për një rrethan me kërkesën e qeverisë sot në orën 14:00, ka qenë e ftuar një seancë parlamentare për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me vlerë 100 milionë euro, prej tyre me interes të qytetarëve. Ndër të tjera: Ratifikimi i marrëveshjes së kredisë drejt projektit të rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë-Pejë. Marrëveshja e kredisë për investime në projektin e energjisë diellore fotovoltaike në KEK. Marrëveshja për rindërtim dhe zhvillim për projektin Impianti i Ujërave të Zeza në Podujevë. Marrëveshja e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesat publike në Prizren”, tha ajo.
Nagavci ka theksuar se VV bëri cdo gjë për të shmangur një krizë të re
“Duhet ta bëjmë të qartë për qytetarët. Ne kemi qenë të vetëdijshëm që ka shumë palë e grupe interesash të cilave u ka penguar mbështetja e madhe qytetare për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për Kryeministrin Kurti. Gjithsesi, ne kemi bërë çdo gjë që ka qenë në dorën tonë për të shmangur edhe një krizë tjetër. Që nga certifikimi i rezultateve të fundit në procesin zgjedhor dhe menjëherë pas konstituimit të institucioneve ashtu siç e kërkon rendi kushtetues, ne jemi marrë intensivisht me çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Duke qenë se për këtë proces nevojiten 80 deputetë, ne kemi nisur menjëherë takimet me partitë opozitare për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme, të përbashkët, e cila do të mundësonte zgjedhjen e Presidentit me 80 votat e nevojshme të deputetëve”, nënvizoi ajo.
Madje ajo përmend takimet që lideri i VV-së, njëherit kryeministri Albin Kurti pati edhe takime me liderët e dy partive më të mëdha politike, PDK dhe LDK-së për të gjetur një zgjidhje për presidentit.
“Lëvizja Vetëvendosje, përmes kryetarit të saj, Kryeministrit të Republikës, ka zhvilluar disa takime radhazi me secilin prej kryetarëve të dy subjekteve më të mëdha opozitare, të PDK-së dhe të LDK-së. Komunikimet kanë vazhduar pa ndërprerje. Ne kemi konsideruar se rezultati zgjedhor ishte i qartë dhe se nuk kishte, e as sot nuk ka asnjë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. PDK-ja insistonte se posti i Presidentit i takon atyre, ndonëse kishin vetëm 12 vota në Kuvend. Kur u pyetën për emrin e kandidatit, kanë refuzuar që ta bëjnë publik, duke kërkuar një nënshkrim blanko për një emër të cilin do ta vendosnin më vonë. Nga ana tjetër, edhe PDK-ja edhe LDK-ja kanë refuzuar të propozojnë një kandidat të tyre, edhe pse Lëvizja Vetëvendosje u ka ofruar të dyjave nënshkrimet e mjaftueshme për kandidim”, shpjegoi ajo.

















