Tri partitë opozitare janë mbledhur sot për të vendosur për hapat që do t’i ndërmarrin për t’i kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi
Liderët e tri partive gjatë një konference kanë thënë se prej të premtes do të fillojnë organizimin e nënshkrimit të një peticioni në gjithë territorin e Kosovës kundër marrëveshjeve të arritura me Serbinë në Bruksel dhe kundër demarkacionit me Malin e Zi.
Po ashtu, opozita është duke u mobilizuar dhe sigurojnë se shumë shpejt do të ketë edhe protesta e demonstrata, përcjell Gazeta Express. Sidoqoftë, liderët e opozitës ende nuk kanë një datë për mbajtjen e protestës.
Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj ka thënë se partia e tij bashkë me Vetëvendosjen e Nismën pret që t’u bashkohen edhe grupet e tjera të shoqërisë për t’i kundërshtuar këto marrëveshje dhe të kërkohet të heqet dorë nga marrëveshjet e nënshkruara.
Në anën tjetër, Fatmir Limaj ka thënë se tani është shpresa e fundit për ndryshimin e gjendjes në vend. Sipas tij, kjo është hera e parë që në Kosovë kemi një opozitë të bashkuar për ta ndalur, siç ka thënë ai, të keqen që po i shkaktohet vendit.
“Kosova nuk ka as parlament kredibil sepse atë e ka shkatërruar ky koalicion qeverisës”, ka thënë Limaj, duke shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të dorëhiqet sa më shpejtë.
Limaj ka kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe largimin sa më të shpejtë të qeverisë.
Në konferencë kanë folur liderët e tri partive, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.