Vulini i përgjigjet Osmanit: Serbia s’është satelit, por vend i pavarur – Prishtina jo

E publikuar: 27/07/2022 14:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, i ka reaguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, nga Departamenti i Shtetit e quajti Serbinë satelit të Rusisë në rajon.

Osmani të martën në mbrëmje u shpreh se Rusia synon ta destabilizojë Ballkanin nëpërmjet satelitit të saj, Serbisë. Ajo ka thënë se këtë çështje e kanë diskutuar edhe në takim me Blinkenin.

Një ditë pas, Vulini ka thënë se “Serbia s’është satelit i askujt, por shtet i pavarur e që Prishtina s’është”.

“Serbia i merr vendimet si e pavarur, e Prishtina as që është, e as që mendon të bëjë kështu. Serbia s’është satelit i askujt, por Prishtina është e pavarur aq sa është shenjtor Stepinaci (kardinal kroat që Zagrebi e konsideron të shenjtë, e Serbia kriminel të Luftës së Dytë Botërore). Serbia është gardiane e paqes në Ballkan dhe Rusia e destabilizon rajonin, po aq sa na bombardoi neve, po aq sa u përpoq të shkëpuste një pjesë të territorit të Serbisë dhe po aq sa u përpoq të anulonte Marrëveshjen e Dejtonit”, ka ironizuar Vulini, sipas Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Vulini ka thënë se Serbia s’është pjesë e “histerisë anti-Rusi” dhe se kjo s’do të thotë që është satelit, “por dëshmi që ka politikë neutrale dhe se është shtet i pavarur e sovran”.