“Vula shkoi aty ku është shumica”, analiza e Rakipllarit: Gjykata barazoi verdiktin formal me atë real. Basha duhet të qëndrojë…

E publikuar: 11/06/2024 22:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Vendimi i gjykatës së Apelit ishte i duhuri, pasi zvarritje po krijonte një dëm të madh për interesin publik”, kështu është shprehur drejtori i informacionit të TCH, Robert Rakipllari.

Në studion e “Top Story”, Rakipllari tha se zvarritja e gjatë e gjykatës për vulën e PD-së po krijonte një përçarje dhe luftë brenda partisë dhe për herë të parë, gjykata barazoi verdiktin me atë që kanë vendosur demokratët.

Rakipllari shtoi se duhet t’i jepet fund historisë së vulës dhe Basha mund të zgjedhë të qëndrojë brenda PD-së dhe të mos krijojë parti të re.

“Ky vendim i gjykatës është i duhuri, pasi zvarritja prej tre vitesh në kushtet e Partisë Demokratike krijonte një dëm të madh për interesin publik.

E linte opozitën në përçarje me një luftë brenda vetes. Realiteti është që vula ka shkuar aty ku PD është në shumicë, dhe është e vulosur me bashkimin e shumicës. Mendoj se kjo ishte një nga arsyet pse ky vendim fitoi legjitimitet. Sot ishte rasti kur më në fund dhe për herë të parë gjykata barazoi verdiktin formal me verdiktin real, me atë që kanë vendosur vetë demokratët.

Të gjithë prisnin të mësonin thjesht se kush do e merrte formalisht, sepse praktikisht dihej kush e kishte shumicën. Duhet t’i jepej fund historisë së vulës në funksion të procesit të bashkimit të PD, të hapjes së PD, ndryshimit të saj vetëm një vit para zgjedhjeve. Z. Basha meqenëse ka thënë se do t’i bindet PD-së, mund të zgjedhë të qëndrojë brenda saj dhe të mos krijojë karshillëk me parti të reja”-u shpreh Rakipllari./tch