Prokurori për krime lufte në Serbi, Vladimir Vukçeviq ka thënë se Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në shtator do të udhëtoj për në SHBA me prova të reja për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.
Vukçeviq për Radio Beogradi ka thënë se mbi rastin Bytyqi është hetuar intensivisht dhe se që nga fillimi në hetime është përfshirë edhe FBI-ja.
Prokurori Vukçeviq ka njoftuar se deri në fund të mandatit, mes rasteve të tjera, do të përmbyllet edhe rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyqi.
“Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, në mes të muajit shtator do të udhëtoj për në SHBA ku do të takoj nënkryetarin amerikan, Joe Biden, dhe një ndër temat kryesore në diskutim pritet të jetë edhe rasi i vëllezërve Bytyqi”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Vuçiq muajin e kaluar kishte deklaruar se rasti Bytyqi është çështje bilaterale midis Beogradit dhe Uashingtonit.
Në datën 9 korrik të vitit 2015 janë bërë 15 vite nga vrasja e vëllezërve Mehmet (21), Agron (23) dhe Ylli (25) Bytyqi, nga ana e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB). Mossuksesi i institucioneve në lidhje me dënimin e këtij krimi tregon se drejtësia në Serbi është selektive, si dhe se personat përgjegjës për ekzekutimin e vëllezërve Bytyçi janë mbi ligjin, ishte thënë në një kumtesë të Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd./Indeksonline