Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it, që përbëhet nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Gjermania, si dhe shefin e Delegacionit të BE-së në Serbi.
Takimi u zhvillua, siç tha mbrëmë Vuçiqi, me kërkesë të tyre.
Sipas raportimeve, ambasadorët i kanë dorëzuar Vuçiqit një dokument të përbashkët në të cilin shprehin shqetësimin e tyre për prishjen e mundshme të stabilitetit në rajon, në prag të afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në Kosovë, raporton televizioni publik i Serbisë, RTS, transmeton Klankosova.tv.
Presidenti tha se ndan shqetësimin për tensione të mundshme, duke shtuar se “Serbia është e përkushtuar për dialogun si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, në të mirë të serbëve dhe shqiptarëve që jetojnë në Kosovë e Metohi, pa i rrezikuar interesat e tyre shtetërore dhe kombëtare”.
Ai theksoi se “tensionet aktuale kanë lindur për shkak të lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës, si dhe për faktin se Prishtina nuk i respekton dispozitat e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes, e nënshkruar me ndërmjetësimin e BE-së”.
Në njoftim thuhet se “ambasadorët e QUINT-it dhe shefi i Delegacionit të BE-së kanë falënderuar presidentin Vuçiq për angazhimin konstruktiv të Serbisë në përmbushjen e Udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, në kuadër të dialogut me Prishtinën”.
Pas takimit, Vuçiqi ka shkruar në Instagram se ka pasur diskutime serioze dhe thelbësisht të rëndësishme me të pranishmit.
“Përkundër të gjitha sfidave, ne vazhdojmë të udhëheqim një politikë të përgjegjshme që ruan paqen dhe interesat kombëtare të vendit tonë, për të mbrojtur frymën e lirisë dhe pavarësisë së Serbisë dhe gjithmonë t’ua themi të vërtetën të gjithëve”, tha Vuçiqi në profilin e “E ardhmja e Serbisë” në Instagram.
Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq.