Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se nuk është i sigurt nëse deri në fund të prillit do të ofrojë zgjidhjen e tij për Kosovën, por garantoi se do të punojë shumë për të arritur një zgjidhje kompromisi.
Vuçiq, këto komente i bëri pas takimit me kryeministrin e Shtetit Baden-Württemberg, Winfried Kretschmann, ndërsa shtoi se zgjidhja për Kosovën “nuk do të jetë e padhembshme për serbët”.
“Me cilëndo zgjidhje që të dalim, ajo do të pritet me thikë, si në rajon, Evropë e botë, ashtu edhe në Serbi”, tha Vuçiq, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
Ai ritheksoi se e kundërshton idenë e “konfliktit të ngrirë”, sepse nuk dëshiron të lë probleme për gjeneratat e ardhshme, transmeton Koha.net.
Vuçiq nuk deshi të komentojë deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj se Bujanoci dhe Lugina e Preshevës janë “Kosova Lindore”, sepse, siç tha ai, nuk dëshiron të flasë për dëshirat e dikujt për territor, por për të ardhmen e Serbisë.
Presidenti serb tha se Serbia dhe Gjermania kanë qëndrimet të ndryshme për pavarësinë e Kosovës, por tha se nuk është zgjidhje e mirë që të mos bisedohet me shtetet që e kanë njohur Kosovën.