Sa herë vjen marsi, bëhet ujk, tamam sikur e ka mbiemrin.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kujdeset që në çdo përvjetorë të bombardimeve të NATO-s, t’ia kujtoj aleancës veri-atlantike se populli që e drejton nuk do ta falë kurrë. Këtë e tha edhe një një tubim masiv në Kralevë, natën e datës 24.
Por, kësisoj i ashpër ish-lideri radikal, tani i vetquajtur përparimtar, nuk shfaqet edhe kur përballet me ata që i urdhëruan sulmet e vitit 1999. Madje, as me disa nga ata që Serbia i pati akuzuar e dënuar në mungesë, si puna e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.
Te ky fundit, siç njofton Klan Kosova, ishte mysafir në një forum në vitin 2016 derisa ishte kryeministër. Madje, kishte shprehur keqardhje për atë që kishte ndodhur në Bosnjë, ani se vet pati kërcënuar se do të vriste 100 myslimanë për një serb.
Më pas pati takuar edhe të akuzuarit tjerë, Tony Blairin e Gerhard Schroederin, ish-shefat e qeverive të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.
Me të dytë, që më vonë nisën të merren me këshilldhënie, u shfaq shumë i afërtë.
Me kalimin e viteve i priti mysafirë e u shkoi në vizitë edhe shefave të NATO-s. E më së shumti takime realizoi me sekretarin aktual, Jens Stoltenberg, raporton Klan Kosova.
Por, në Serbi e me përfaqësues të saj u takuan edhe paraardhësit e këtij të fundit.
Javier Solana, që ishte urdhërdhënës i sulmeve ajrore, do ta vizitonte Serbinë më pas në cilësinë e shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian.
E Jaap de Hoop Scheffer do të pritej nga ish-presidenti, Boris Tadiq.
Anders Fogh Rasmusen, do të takohej me kryeradikalin, Tomislav Nikoliq, në kohën sa ky i fundit ishte në krye të Serbisë.
Shumë radikal konsiderohet edhe lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, por fort ishte zbutur në takimet me ish-shefen e diplomacisë amerikanë, Madeleine Albright me të cilën ishte përballur disa herë.
Kjo e fundit, që vdiq javën e kaluar, ishte dënuar nga gjykata themelore e Beogradit në mungesë me 20 vjet burg, bashkë me ish-presidentin Bill Clinton, ish-sekretarin e mbrojtjes, William Cohen, kryeministrin britanik Tony Blair, ish-ministrin e jashtëm britanik, Robin Cook, ish-kancelarin gjerman, Gerhard Schroeder, ish-ministrinë e jashtëm, Joschka Fischer dhe atë të mbrojtjes, Rudolf Scharping. Poashtu edhe ish presidenti nfrancez, Jacques Chirac dhe ish-ministrin e jashtëm, Alain Risar, si edhe ish-drejtuesit e NATO-s, sekretarët Javier Solana e George Robertson dhe ish-komandantin wesley Clark.
Por, ky dënim i shqiptuar në vitin 2000, ishte shfuqizuar më pas nga Gjykata Supreme e Serbisë për t’u kthyer në rigjykim, vecse i tërë rasti u mbyll në vitin 2019, meqë prokuroria hoqi dorë nga aktakuza