Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se jo në vitin 2024 por një periudhë shumë më të shkurtër po i kërkohet arritja e marrëveshjes finale me Kosovën.
“Mua nuk më kanë folur për 2024-ën, por ma kanë përmendur diçka më pak dhe kjo për javë e jo muaj. Këtë e kanë bërë ata me të cilët kam biseduar . S’pres asgjë. Pres bisedë të rëndë të njerëzve që janë serioz e të përgjegjshëm”,theksoi Vuçiq, të hënën .
Kjo deklaratë e tij erdhi para se ta takonte emisarin për dialogun, Miroslav Lajçak, që qëndroi në Beograd.
Të enjten i dërguari i posaçëm i BE-së, gjatë qëndrimit në Prishtinë, dha një deklaratë që shkaktoi diskutime të mëdha.
Duke u përgjigjur për Klan Kosova, në pyetjen se a është 2023 vit vendimtar për arritjen e marrëveshjes, Miroslav Lajçak, tha se ka një “ dritare të mundësie ” sepse sipas tij nëse kjo s’bëhet deri më 2024 atëherë vijnë zgjedhjet amerikane e evropiane e fokusi humbet.
Ndërkohë, Vuçiq, i cili para disa jave fliste haptas për atë se i di detajet e propozimit të Gjermanisë e Francës, për pajtim Kosovë-Serbi, tani megjithatë thotë se gjithçka është sekrete edhe pse tha që ai personalisht kishte qasje.
“Planin Scholz-Makron askush në Serbi se ka parë, sepse kështu është marrëveshja që të mos dalim në publik me këtë plan. Askush se ka parë por të gjithë e kanë mendimin e tyre për të”.
Vuçiq, shtoi se po i kërkohet nga fuqitë e mëdha që të jetë në anën e duhur të historisë e kjo anë sipas tij i bie që “Serbia të heq dorë nga Kosova “dhe se vetëm pas kësaj shteti serb do fitoj diçka që ai e quajti “dhuratë të vogël”.