Vuçiq takohet me Sorensenin: Formimi i Asociacionit parakusht për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën

E publikuar: 25/03/2025 11:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndërmjetësi evropian në dialog, Peter Sorensen pas vizitës në Kosovë, po qëndron sot në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq ka deklaruar se ka pasur një takim të hapur me Sorensenin.

Ai i është ankuar Sorensenit duke pretenduar se është Kosova ajo që po paraqet pengesa në dialogun mes dyja vendeve. Vuçiq po ashtu ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është parakusht për normalizimin e marrëdhënieve.

“Theksova gjithashtu pengesat e vazhdueshme që po kryen Prishtina në procesin e dialogut dhe ritheksova se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas viteve detyrim është parakusht për fillimin e normalizimit thelbësor të marrëdhënieve”, ka thënë Vuçiq në Instagram dhe ka shtuar.

“Theksova pritjen se BE-ja do të rrisë angazhimin e saj dhe do të mbajë një rol të paanshëm në këtë proces. Përsërita qëndrimin e Serbisë se vetëm dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet kompromisi mund të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiq.

Vizita e Sorensen në Beograd pasoi vizitën e të dërguarit të posaçëm të BE në Prishtinë javën e kaluar, ku pati takime me krerët e shtetit.