Vuçiq: Serbët po e pranojnë se bashkëvendësit e tyre kanë kryer krime

E publikuar: 28/07/2015 15:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një intervistë të dhënë gazetës gjermane “Sueddeutsche Zeitung”, ka thënë se ka investuar shumë kohë dhe ide politike për të krijuar atmosferë paqësore politike.
Ai tha gjithashtu se sot “90 për qind e serbëve për herë të parë e kanë pranuar se bashkëvendësit e tyre kanë kryer krime të tmerrshme gjatë luftërave të viteve të ’90-ta”.

“Serbët e kuptojnë se populli në Bosnje ka vuajtur jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Vuçiq në këtë intervistë të dhënë të hënën gjatë një vizite që i bëri Bavarisë.

“E dënoj në mënyrën më të ashpër atë që ka ndodhur 20 vjet më parë. I urrej ata njerëz që ishin në gjendje të kryejnë krime të tilla të tmerrshme”, shtoi Vuçiq, transmeton Koha.net.

Kur e përditshmja gjermane theksoi se presidenti serb, Tomislav Nikoliq “nuk po kontribuon në stabilitet kur vë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës”, Vuçiq tha se “sipas Kushtetutës së Serbisë” Kosova është pjesë e Serbisë.

“Kjo”, sipas tij, “shihet ndryshe nga shqiptarët e Kosovës të cilët besojnë se Kosova është një shtet i pavarur”.

Vuçiq theksoi se Serbia, megjithatë, tashmë ka bërë disa kompromise, por se qytetarët e Serbisë nuk do ta pranojnë Kosovën shtet të pavarur.

“Serbia po bën gjithçka në fuqinë e saj për ta qetësuar situatën. Serbët e Kosovës janë pjesë e qeverisë dhe jetës politike në Kosovë”, kujtoi Vuçiq, dhe shtoi se “Kosova nuk do të jetë burim i paqëndrueshmërisë më të gjerë, mes gjërave tjera, sepse Serbia ka ndërtuar marrëdhënie të mira me Shqipërinë”.

I pyetur në lidhje me raportet e Serbisë me Rusinë, Vuçiq tha se vendi i tij është i interesuar të bëhet pjesë e BE-së, dhe shtoi se “këtë ja kam thënë haptas edhe presidentit të Rusisë”.

Në lidhje me ikjen e qytetarëve dhe kërkesat e shumta për azil në shtetet perëndimore, veçanërisht në Gjermani, Vuçiq tha se shumica prej azilkërkuesve janë romë dhe se ata po shkojnë në Gjermani jo për azil, por për paratë e Gjermanisë.

Por ai shtoi se “serbët nuk janë as racistë e as nacionalistë – ne u ofrojmë qytetarëve tanë mundësi të barabarta”.