Vuçiq pranon se me Bidenin folën edhe për vëllezërit Bytyqi

E publikuar: 20/09/2015 22:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq gjatë vizitës në Washington ku takoi zyrtarë të lartë amerikanë, në mesin e tyre edhe zëvendëspresidentin dhe Sekretarin e Shtetit, premtoi se “po punohet në zgjidhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi”.

Vëllezërit Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi, pjesëtarë të UÇK dhe shtetas amerikanë me prejardhje nga një fshat i Therandës, ishin arrestuar nga forcat serbe menjëherë pas lufte më 1999 derisa po e ndihmonin kalimin e një familje rome në kufirin Kosovë – Serbi. Ata u ekzekutuan pa gjyq në Serbi, ndërsa vrasësit e tyre ende nuk janë identifikuar.

Vuçiq gjatë vizitës në Washington e pranoi se kjo ishte një çështje që u bisedua edhe në takimin me zëvendëspresidentin Joseph Biden dhe se “Serbia së shpejti do të përmbush këtë obligim”, ndonëse përmendi edhe kundërshtimet nga “pjesa më e madhe e vendit”.

“Nuk folëm për afate, por për gjëra konkrete. Ata dinë çdo gjë, të gjitha hollësitë dhe për të gjitha problemet me të cilat përballemi. Më pëlqeu ajo që më tha Biden se ‘ka njerëz që janë të guximshëm dhe guxojnë dhe veprojnë jo vetëm për këtë çështje por edhe të tjera, përkundër kundërshtimeve nga pjesa më e madhe e vendit’”, tha Vuçiq, duke e pranuar vështirësitë lidhur me këtë, përcjell televizioni publik.

Edhe gjatë vizitës në qershor Vuçiq tha se “kam premtuar se do ta zgjidhim çështjen e vëllezërve Bytyqi dhe ju do ta shihni se do ta përmbush”.

Qeveria amerikane dhe ligjdhënës amerikanë në nivele të larta dypalëshe prej vitesh kanë kërkuar nga regjimet e ndryshme serbe që të zbardhin çështjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi dhe që ekzekutorët e tyre të dalin para drejtësisë, vrasje kjo që vetë Vuçiq e pati quajtur “një krim të tmerrshëm”, raporton koha.

Ndërkohë edhe qeveritë e mëparshme serbe përkundër premtimeve, siç kanë thënë zyrtarët amerikanë, nuk na kanë dhënë asnjë informacion.