Vuçiq përsëri tenton ta prolongojë dialogun me zgjedhje të reja

E publikuar: 15/05/2023 09:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kurti Vucic

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se më 26 maj do ta njoftojë publikun serb se do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme më së largu deri në shtator.

Vuçiq ka thënë se ministri i brendshëm serb Bratisllav Gashiq nuk do të zëvendësohet, që është një nga kërkesat e protestës “Serbia kundër dhunës”, por se ekziston mundësia që të ndërrohet e gjithë qeveria serbe dhe të shkohet në zgjedhje të reja që do të mbahen në shtator, transmeton Paparaci.

“E pse ta ndërrojmë? Unë them se nuk do ta ndërrojmë, nuk na shkon as ndërmend ta zëvendësojmë Bata Gashiqin, i cili bën një punë të shkëlqyeshme, por nuk ka problem, mund t’ju plotësoj dëshirën, ne mund të zëvendësojmë gjithë qeverinë dhe të shkojmë në zgjedhje të reja. Për këtë ju duhet të prisni vetëm 26 majin dhe asgjë më shumë”, ka deklaruar Vuçiq për gazetarë.

Ai ka thënë se “askush nuk i ruan karriget e askujt” dhe se kjo do të shihet “shumë qartë”, ndërsa shtoi se “një ditë”, që nga 27 maji, ai më nuk do të jetë kryetar i partisë dhe se në mbledhjen e paralajmëruar për 26 maj “do t’u shpjegojë njerëzve gjithçka”.

“A jeni për zgjedhje?, Më 26 do të informoj popullin se do të shkojmë në zgjedhje, do të thotë zgjedhje më së voni në shtator, vetëm ju nuk do të vendosni se në cilat zgjedhje do të shkohet, dhe se ato do të bëhen kështu a ashtu, sepse kjo nuk është fontanë dëshirash”, ka thënë Vuçiq.