Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i pyetur për një takim të mundshëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e di epilogun e këtij takimi.
Vuçiq, teksa foli për radiotelevizionin publik serb “RTS”, ka shtuar se Kurti do të thotë gjëra të tmerrshme për Serbinë dhe se i ka dëgjuar ato 500 herë tashmë.
“Do të flasë gjëra të tmerrshme për Serbinë, i kam dëgjuar ato 500 herë. Do të thotë se Putini i vogël do të bëjë luftëra në Ballkan me urdhër të Putinit të madh, kjo është retorika e tij. Ne do të flasim ashpër dhe kaq. Për mua është me rëndësi që këtu kam pasur takime të rëndësishme dhe se të gjithë shohin veten, se si do ta mbijetojnë krizën dhe me rëndësi i kam këto bisedime”, deklaroi Vuçiqi.
Ai po merr pjesë në Forumin Botëror për Ekonomi në Davos, ku pjesëmarrës është edhe kryeministri Kurti. /Lajmi.net/