Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq deklaroi se mëngjesin e sotëm i është thënë se nevojiten 80 milion euro për raketat dhe granatat për Ushtrinë e Serbisë, megjithëse, siç tha ai, kishte kërkuar për muaj me radhë plotësimin e plotë të municionit. “Për këtë u çmenda mëngjesin e sotëm. I kam lutur ata në janar, para kësaj në dhjetor dhe në shtator, kur kam kërkuar të realizohet plotësimi i plotë i municionit me granata, raketat dhe gjithçka që na nevojitet“, tha Vuçiq për gazetarët gjatë vizitës në qendrën kombëtare të dispeçimit të kompanisë EMS.
Ai deklaroi se “çdo ditë” i kërkohet të “shpikë para”, duke shtuar se garancitë për këto borxhe duhet të jepen nga shteti dhe se kjo reflektohet në borxhin publik në raport me bruto produktin e brendshëm (BPB), por se Serbia sot i përket vendeve me borxhe të ulëta në botë dhe dëshiron të qëndrojë atje.
“Thashë gjithçka në kohë, për një muaj kam thënë se Amerika do të sulmojë Iranin, ju po më bëni budalla në të gjitha mediat. Dhe kur shpërthen lufta – ‘Shtet ndihmo, ku je Vuçiq, pse je zhdukur’. Për një muaj kam thënë se do të ketë luftë, pse nuk u përgatitët për të? Të gjithë hynë në të të papërgatitur, përveç Iranit”, tha Vuçiq.
I pyetur nëse Kroacia ka “frikë” nga armët ushtarake të Serbisë, Vuçiq tha se të gjithë ata që mendojnë se Kroacia ka frikë janë naivë, duke shtuar se ajo ka një ushtri shumë të fortë dhe të fuqishme dhe është pjesë e NATO-s.
“Vetëm se ata, ndryshe nga qasja jonë, kanë qenë gjithmonë më të zgjuar. Për herë të parë tani, ata nuk janë më budallenj, por nuk janë as më të zgjuar”, shtoi ai.
Sipas tij, Kroacia nuk ka frikë, por nuk i pëlqen të shohë një Serbi më të fortë “sepse bëhet një fortesë e pathyeshme”.
“Ky është problemi, jo se ata kanë frikë, sepse e dinë që ne ata nuk t’i sulmojmë. Por unë kurrë nuk do t’i nënvlerësoja, ashtu siç nuk do t’i nënvlerësoja shqiptarët në Kosovë , shqiptarët në Shqipëri dhe mënyrën se si pajisen, armatosen, ”, tha Vuçiq.



















